BKH hyn në kupolën e Policisë së Shtetit, pas AKSHI-t: sekuestrohet telefoni i drejtoreshës së Krimit Kibernetik

Data

Hetimet e Byrosë Kombëtare të Hetimit janë zgjeruar nga institucionet civile drejt strukturave më të larta të Policisë së Shtetit. Këtë herë, në fokus ka qenë Drejtoresha e Krimit Kibernetik dhe Kompjuterik në Policinë e Shtetit, Ervina Gjana, të cilës agjentët e BKH-së i kanë sekuestruar telefonin celular, si dhe kanë ushtruar kontrolle në zyrën dhe banesën e saj.

Ervina Gjana mban një post kyç në hierarkinë e Policisë së Shtetit, duke qenë përgjegjëse për hetimin e veprave penale që lidhen me mashtrimet online, call center-at, ndërhyrjet në sistemet informatike dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e krimit kibernetik. Pikërisht për shkak të këtij pozicioni, hetimi ndaj saj shihet si një zhvillim i rëndësishëm në goditjen e ndikimit kriminal brenda strukturave të rendit.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se procedimi është hapur pas sekuestrimit të telefonave të shtetasit Agasi, ku SPAK ka konstatuar se disa drejtues të Policisë së Shtetit dyshohet se janë rekrutuar apo emëruar nën ndikimin e grupeve kriminale. Hetimet lidhen me lejimin e aktivitetit të paligjshëm të call center-ave, ndërhyrje të paligjshme në Policinë e Shtetit dhe vepra të tjera penale.

Sipas informacioneve, ditën kur u raportua se BKH i kishte sekuestruar telefonin drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, agjentët e BKH-së kanë qenë realisht të pranishëm në godinën e Policisë, por objektivi kryesor i ndërhyrjes ka qenë një tjetër zyrtare e nivelit të lartë. Ndërkohë, konfirmohet se Proda ka tashmë një telefon të sekuestruar në kuadër të hetimeve.

Hetimi nuk ndalet vetëm te Ervina Gjana. Mësohet se është sekuestruar edhe telefoni i bashkëshortit të saj, Renato Hristiç, ndërsa Gjykata e Posaçme ka miratuar kontrolle personale dhe banesash për disa shtetas të tjerë, mes tyre Gëzim Toska, Elon Ciko, Elgerti Bixha, Arjola Koromani, Endri Merkaj, si dhe për subjektin tregtar “Merkaj 3”, që zotëron kompleksin “Mandarine Drive”.

Zgjerimi i hetimeve drejt kupolës së Policisë së Shtetit sinjalizon një fazë të re të përplasjes së drejtësisë me krimin e organizuar dhe ndikimin e tij në institucionet shtetërore, duke vënë në provë integritetin e strukturave më të rëndësishme të sigurisë në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related