Bonusi i fundvitit, familjarët e personave autikë ngrenë alarmin: prej 4 vitesh jemi përjashtuar nga vendimi i qeverisë

Data

Familjet e personave me autizëm denoncojnë se edhe këtë fundvit nuk kanë përfituar bonusin e akorduar nga qeveria për kategoritë në nevojë. Sipas tyre, kjo problematikë është e përsëritur prej katër vitesh radhazi, duke i lënë jashtë një shtresë që përballet çdo ditë me vështirësi të mëdha ekonomike dhe sociale.

Kryetarja e shoqatës së fëmijëve autikë, Egla Bajrami, e cila është edhe prind i një djali 25-vjeçar me autizëm, deklaroi se pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme dhe kontakteve me institucionet përgjegjëse, situata nuk ka ndryshuar.

Ajo theksoi se prindërit kanë marrë vetëm premtime verbale, por në praktikë listat e personave me autizëm nuk janë përpiluar nga minibashkitë, çka ka sjellë përjashtimin automatik nga bonusi i fundvitit.

“Sipas informacioneve që marrim nga prindërit, na thuhet vetëm me fjalë se do të përfshihemi, por realisht listat nuk janë hartuar dhe bonusi nuk është dhënë”, u shpreh Bajrami.

Sipas saj, familjet me fëmijë autikë përballen me sfida të shumta që nuk lidhen vetëm me anën ekonomike, por edhe me mungesën e mbështetjes institucionale dhe shërbimeve të specializuara.

“Kjo kategori ka mbetur jashtë vendimit të qeverisë, ndërkohë që bonusi është akorduar për pothuajse të gjitha kategoritë e tjera në nevojë”, tha ajo, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për të korrigjuar këtë padrejtësi.

Denoncimi i familjarëve vjen në prag të festave të fundvitit, një periudhë që për ta, në vend të gëzimit, shoqërohet me zhgënjim dhe pasiguri për përballimin e shpenzimeve bazë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related