Kryeministri Edi Rama ka sulmuar opozitën gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partia Socialiste e Shqipërisë në Elbasan, duke e cilësuar atë si një “katastrofë ambulante”.
Në fjalën e tij, Rama deklaroi se vakumi i krijuar nga opozita mund të mbushet me energji negative që, sipas tij, mund të pengojë rrugën e qeverisë dhe proceset politike të vendit.
“Vakumi i krijuar për shkak se opozita zyrtare është një katastrofë ambulante mund të mbushet me negativitet dhe me një energji që mund të na pengojë në këtë rrugë”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se aktualisht nuk ka zgjedhje parlamentare që të rrezikojnë shumicën socialiste prej 83 mandatesh në Kuvend, ndërsa përmendi zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm si sfidën e radhës elektorale.
Ai nënvizoi se zgjedhjet lokale kanë rëndësinë e tyre politike, por sipas tij nuk e vënë në pikëpyetje shumicën qeverisëse.
“Ne nuk kemi përpara zgjedhje, përveçse në vitin e ardhshëm kur do të bëhen zgjedhjet vendore. Ato kanë rëndësinë e tyre, por nuk vënë në pikëpyetje shumicën tonë prej 83 mandatesh”, deklaroi Rama.
Gjatë fjalës së tij, ai u bëri thirrje strukturave socialiste që të jenë më pranë anëtarësisë dhe qytetarëve, duke diskutuar për çështjet politike dhe shoqërore që, sipas tij, lidhen me të ardhmen e vendit dhe rrugën europiane të Shqipërisë.
Rama kërkoi gjithashtu më shumë angazhim nga socialistët për të forcuar lidhjen me bazën dhe për të ruajtur, sipas tij, përgjegjësinë politike të mazhorancës.
