Një atentat me eksploziv është parandaluar mbrëmjen e djeshme në zonën e Vrinës, në territorin e Bashkisë Konispol, falë reagimit të menjëhershëm të drejtuesit të mjetit.
Sipas policisë, shtetasi Mirash Gjikola, 57 vjeç, ka njoftuar Komisariatin e Policisë Sarandë pasi, teksa po lëvizte me automjetin e tij në aksin rrugor Shëndëlli–Vrinë, në vendin e quajtur “Kthesa e Vrinës”, ka dëgjuar zhurma të pazakonta në mjet. Pas ndalimit, ai ka konstatuar një lëndë të dyshimtë, të vendosur brenda automjetit.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, ekspertë të krimeve të rënda nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, si dhe reparti anti-eksploziv i RENEA-s. Zona u rrethua për siguri, ndërsa u ndërmorën veprimet për neutralizimin e rrezikut.
Burime zyrtare bëjnë me dije se në automjetin tip “Nissan”, me targa AA725LG, është konstatuar një sasi lënde eksplozive e vendosur në sediljen e pasme. Ekspertët kanë ndërhyrë për çaktivizimin e saj, ndërsa paralelisht kanë nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e motiveve të ngjarjes.
Shtetasi Mirash Gjikola rezulton person me precedentë penalë dhe i dënuar më parë, fakt që po merret në konsideratë nga grupi hetimor.
Policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të atentatit të dështuar dhe për kapjen e personave përgjegjës.
