Lëvizja qytetare e njohur si “Revolucioni i Flamingove” po ndikon në mënyrën se si kryeministri Edi Rama perceptohet në arenën ndërkombëtare, duke sfiduar imazhin e ndërtuar prej vitesh si një lider modern dhe reformator. Ky është përfundimi i një analize të publikuar nga BIRN, e cila sjell vlerësimet e gazetarëve Walter Mayr, Andi Bushati dhe Lutfi Dervishi.
Më 1 korrik, ndërsa mijëra protestues vijonin tubimet në Tiranë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, Rama mori pjesë si folës në RuhrSUMMIT në Bochum të Gjermanisë, një forum kushtuar inovacionit dhe sipërmarrjes, ku u takua edhe me presidentin e landit Nordrhein-Westfalen, Hendrik Wüst.
Sipas gazetarit gjerman Walter Mayr, kontrasti mes imazhit të Ramës në skenën ndërkombëtare dhe perceptimit të tij brenda vendit është bërë më i dukshëm se kurrë.
Mayr, autor i analizës së publikuar në vitin 2024 në Der Spiegel me titull “Pse Bashkimi Europian ka mbyllur një sy për Edi Ramën?”, vlerëson se reputacioni ndërkombëtar i kryeministrit është ndërtuar me kujdes gjatë viteve, por thekson se protestat e fundit kanë filluar ta sfidojnë këtë narrativë.
Megjithatë, sipas tij, ndryshimi në perceptimin ndërkombëtar mbetet ende i kufizuar.
“Shqipëria, përfshirë edhe akuzat ndaj Ramës dhe rrethit të tij të ngushtë, vazhdon të trajtohet si një çështje dytësore në axhendën ndërkombëtare,” citohet të ketë thënë Mayr.
Ai shton se hendeku mes perceptimit të opinionit publik shqiptar dhe atij në vendet kryesore të Bashkimit Europian është sot më i madh se në çdo moment tjetër.
Protestat dhe ndryshimi i narrativës
Sipas BIRN, vëmendja që mediat ndërkombëtare i kanë kushtuar protestave ka zhvendosur fokusin nga imazhi i “kryeministrit artist” drejt debateve mbi korrupsionin, klientelizmin, transparencën dhe mënyrën e ushtrimit të pushtetit.
Gazetari Andi Bushati argumenton se protesta u dha mundësi mediave të huaja të shohin nga afër realitetin shqiptar.
“Gazetarët panë se kjo nuk është parajsa e drejtuar nga një lider i shquar, por një vend me pakënaqësi të thellë qytetare, ku zhvillimi lidhet me ndikimin e parasë së pistë dhe pushtetin e përqendruar,” shprehet ai.
Sipas Bushatit, lëvizja qytetare ka kontribuar në kalimin e imazhit të Ramës nga ai i një lideri modern dhe reformator në atë të një lideri të kontestuar për mënyrën e qeverisjes.
Në të njëjtën linjë, edhe gazetari Lutfi Dervishi vlerëson se protestat kanë krijuar një “çarje serioze” në narrativën ndërkombëtare të kryeministrit.
Sipas tij, për vite me radhë Rama është perceptuar si një politikan modern, artist dhe reformator, ndërsa tashmë vëmendja është zhvendosur drejt çështjeve që lidhen me transparencën, korrupsionin, menaxhimin e pasurive publike dhe modelin e zhvillimit.
“Mediat ndërkombëtare nuk po e lexojnë më vetëm Ramën si politikan ekscentrik, por edhe si një lider të kontestuar për mënyrën se si ushtron pushtetin,” thekson Dervishi.
Pasojat politike
Analiza ndalet edhe te ndikimi politik i protestave në raportet me Bashkimin Europian.
BIRN kujton se një grup eurodeputetësh të të Gjelbërve vizituan Tiranën dhe morën pjesë në protesta, ndërsa më herët Parlamenti Europian miratoi një amendament që kërkon vendosjen e një moratoriumi për ndërtimet në zonat e mbrojtura në Shqipëri.
Megjithatë, deri tani nuk ka pasur ndryshim zyrtar të qëndrimit të institucioneve europiane ndaj qeverisë shqiptare.
Bushati vlerëson se efektet politike do të shfaqen gradualisht, duke argumentuar se ndryshimi i perceptimit në media mund t’u paraprijë ndryshimeve në qëndrimet e kancelarive perëndimore.
Ndërsa Lutfi Dervishi thekson se partnerët ndërkombëtarë priren të jenë pragmatikë, por paralajmëron se rritja e kritikave mund të sjellë më shumë kërkesa dhe kushte në procesin e integrimit europian.
“Rama mund të vazhdojë të jetë partner i Perëndimit, por jo më një partner që gëzon automatikisht të njëjtin nivel besimi vetëm sepse di të komunikojë mirë dhe të krijojë marrëdhënie me burokratët e Brukselit,” përfundon Dervishi.
