Karabinierët e Njësisë Hetimore të Romës kanë goditur një nga rrjetet më të mëdha të trafikut të drogës, duke sekuestruar 200 kilogramë kokainë, me një vlerë tregu që arrin në 16 milionë euro.
Gjatë operacionit, është arrestuar një shtetas shqiptar 23-vjeçar (i lindur në 2002), i cili u kap në flagrancë me 191 pako kokainë, një pistoletë me fishekë dhe rreth 30,000 euro në para të gatshme.
I dyshuari po ecte në rrugë me një çantë shpine, duke u sjellë në mënyrë të dyshimtë, gjë që tërhoqi vëmendjen e karabinierëve të Komandës Provinciale të Romës, të cilët vendosën ta kontrollonin. Gjatë kontrollit iu gjet një shumë e konsiderueshme parash, të papërputhshme me statusin e tij të papunësisë.
Hetimet vazhduan në banesën e tij, ku u zbulua një qendër logjistike për magazinimin e drogës. Karabinierët gjetën 8 çanta të mëdha me kokainë, të ndarë në 191 pako me logo të ndryshme, që përfaqësonin rreth 8,000 doza të markave të ndryshme për tregun e Romës. Vlera totale e drogës arrinte rreth 16 milionë euro, një shumë që do të kishte fuqizuar financat e organizatave kriminale lokale.
Në banesë u gjet gjithashtu një armë zjarri me fishekë, e vjedhur dhe e gatshme për përdorim, si dhe 30,000 euro në para të gatshme. Hetimet zbuluan gjithashtu se i arrestuari përdorte një sistem të sofistikuar fshehjeje në automjetin e tij, me dyfish fund të fshehtë për drogën, të hapur vetëm gjatë dorëzimit, për të shmangur kontrollin e autoriteteve.
23-vjeçari shqiptar u vu nën arrest dhe u dërgua në burgun Rebibbia të Romës, në pritje të gjykimit.
