Denisa Kele, Tomi Kallanxhi dhe Besmir Semanaj njoftuan të martën se kanë shpallur kandidaturën e parë të krijuar me Inteligjencë Artificiale në zgjedhjet vendore, me emrin TirANA (Tirana Algorithmic Neural Assistant).
Kjo nismë bazohet në precedentin e krijuar nga Kryeministri Edi Rama, i cili emëroi si anëtare të kabinetit të tij një algoritëm – ministren e parë të Inteligjencës Artificiale – e cila më parë ofronte shërbime online për qytetarët në portalin e-albania.
“Pas këtij projekti qëndron një ekip i gjerë ekspertësh nga fusha të ndryshme: teknologji, urbanistikë, mjedis, transport, ekonomi, drejtësi dhe shërbime publike, të cilët besojnë se Tirana ka nevojë për një qasje të re, të bazuar mbi transparencë, efikasitet dhe llogaridhënie,” shkruajnë ekspertët në postimin e tyre në Facebook.
Megjithatë, nisma nuk synon thjesht të bëjë paralelizëm me ministren virtuale të Ramës. “Qëllimi ynë nuk është vetëm krahasimi me Diellën, por të testojmë kufijtë ligjorë për të parë nëse një entitet i tillë mund të regjistrohet në KQZ,” tha Semanaj për BIRN. Ai shtoi se janë duke bashkëpunuar me juristë për të shqyrtuar mundësitë ligjore, edhe pse e kuptojnë se kjo mund të jetë shumë e vështirë ose e pamundur.
“Synimi ynë është të krijojmë një precedent që më pas mund të nxisë ndryshime ligjore,” shtoi ai.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i tha BIRN se regjistrimi i subjekteve zgjedhore ose kandidatëve shqyrtohet vetëm pas dorëzimit të një kërkese zyrtare, sipas procedurave dhe afateve të Kodit Zgjedhor. Sipas KQZ-së, ligjërisht e drejta për t’u regjistruar i takon vetëm shtetasve shqiptarë që plotësojnë kriteret kushtetuese dhe ligjore. Në rast se një aplikim i tillë dorëzohet zyrtarisht, KQZ do ta trajtojë sipas kuadrit ligjor në fuqi.
Duke krahasuar krijesën e tyre virtuale me algoritmin e qeverisë, Semanaj thekson se ndryshe nga Diella, TirANA është e ndërtuar mbi standarde transparente, ku çdo qytetar mund të shohë kodin, të monitorojë burimet e të dhënave dhe të verifikojë funksionimin e saj. “Ky është shembulli që do të duhej të ndiqte Diella, ndryshe nga ajo që ekziston sot, ku kodi dhe burimet janë të mbyllura dhe procesi jo transparent,” shpjegoi ai.
Kujtojmë se Rama kishte krijuar bujë kur në prezantimin e kabinetit të tij deklaroi se besonte tek Diella, një algoritëm i përgjegjshëm për prokurimet publike, një sektor që shihet si i ndikuar nga korrupsioni në qeverisje.
