35 vjet Partia Demokratike, Berisha: Ne sollëm pluralizmin, lirinë dhe shembëm diktaturën më të egër të Europës

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti fjalën kryesore në aktivitetin solemn të organizuar për 35-vjetorin e themelimit të PD-së, duke e cilësuar këtë forcë politike si një nga partitë e rralla në botë që “kanë ndarë epoka dhe kanë bërë histori”.

Në fjalimin e tij, Berisha vuri theksin te roli historik i PD-së në rrëzimin e diktaturës komuniste dhe rikthimin e lirive themelore në Shqipëri. Ai kujtoi me respekt dhe mirënjohje figurat kyçe të themelimit të partisë, duke nisur nga Azem Hajdari, Gramoz Pashko, Pjetër Arbnori, si dhe personalitete të tjera të shquara të PD-së që, sipas tij, i dhanë dinjitet shtetit shqiptar.

“Partisë më të jashtëzakonshme, nderimin më të madh për guximin, kontributin dhe sakrificat e qindra mijëra demokratëve. Nderim për tribunin e lirisë Azem Hajdari, për intelektualin Gramoz Pashko dhe për qëndrestarin Pjetër Arbnori. Kujtimi i tyre do të jetë gjithmonë krenari për demokratët”, u shpreh Berisha.

Kryedemokrati theksoi se Partia Demokratike u themelua si forcë e interesit kombëtar dhe me vokacion të qartë perëndimor, në një kohë kur pluralizmi politik dhe të drejtat e njeriut ishin të ndaluara me Kushtetutë.

“Ne jemi ndër partitë e pakta të planetit që që nga dita e parë ndamë epoka. I dhamë Shqipërisë dhuratën më të çmuar – pluralizmin politik. Rikthyem lirinë dhe të drejtat e njeriut në një vend ku ato ishin të ndaluara me ligj”, deklaroi Berisha.

Ai shtoi se PD është forca politike që riktheu besimin fetar në shtetin e parë ateist në botë dhe që udhëhoqi procesin e shembjes së diktaturës së fundit komuniste dhe më të egër në Europë.

Në përmbyllje, Berisha nënvizoi se trashëgimia e Partisë Demokratike mbetet e lidhur ngushtë me lirinë, demokracinë dhe orientimin euroatlantik të Shqipërisë, duke e cilësuar këtë rrugëtim si krenari jo vetëm për demokratët, por për gjithë shoqërinë shqiptare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related