Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka akuzuar drejtuesin e Kuvendit Niko Peleshi për përjashtim të opozitës nga një vizitë zyrtare në Gjermani.
Në një deklaratë nga foltorja e organizuar përpara Kryeministrisë, Berisha tha se Peleshi kishte planifikuar një udhëtim për takime me homologë gjermanë, ku sipas praktikave parlamentare duhej të përfshiheshin edhe deputetë të opozitës.
Sipas tij, situata ndryshoi pasi ai kishte udhëzuar deputetët demokratë që gjatë vizitës të paraqisnin kritikat e tyre për mënyrën se si drejtohet Parlamenti shqiptar.
“Udhëzova deputetët t’ia numëronin në fytyrë dhe ai u nis pa marrë asnjë deputet të Partisë Demokratike,” deklaroi Berisha.
Ai e cilësoi këtë veprim si përpjekje për të shmangur përballjen me të vërtetën në arenën ndërkombëtare, duke akuzuar drejtuesit e Kuvendit për mungesë transparence dhe përjashtim të opozitës nga përfaqësimi institucional.
Deri tani nuk ka një reagim publik nga Peleshi lidhur me këto akuza, ndërsa çështja pritet të shtojë tensionet politike mes mazhorancës dhe opozitës.
