Berisha: Rama u zotua të shpërfillë vendimin e Kushtetueses për Ballukun, qëndrim i paprecedentë që kërcënon edhe Europën

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila la në fuqi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, pas marrjes së saj nën akuzë nga SPAK.

Në një deklaratë publike, Berisha tha se Rama ndodhet në panik dhe se para qytetarëve është zotuar në mënyrë të papërgjegjshme se do të shpërfillë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, pretendimi i kryeministrit se pezullimi i një ministri nga gjykata është rast i paprecedentë në botë është i pavërtetë.

“Ky është një mashtrim i madh. Në rajon, në Europë dhe në botë, gjykatat kanë pezulluar jo vetëm ministra, por edhe kryeministra,” u shpreh Berisha.

Ai theksoi se Rama e sheh këtë vendim jo vetëm si një goditje ndaj Belinda Ballukut, por edhe si një rrezik personal për veten e tij, duke shtuar se reagimi i kryeministrit tregon frikë nga drejtësia.

Sipas Berishës, deklaratat e Ramës në podcastin e tij përbëjnë edhe një kërcënim të hapur ndaj Bashkimit Europian. Ai u shpreh se kryeministri ka paraqitur veten dhe qeverinë si të vetmen alternativë për integrimin europian, duke injoruar shtetin ligjor, Kushtetutën dhe ndarjen e pushteteve.

“Kjo është një sjellje e paprecedentë për një vend që synon integrimin në BE. Asnjë lider europian nuk mund të shpërfillë vendimet e gjykatave dhe të sulmojë drejtësinë pa pasoja,” tha Berisha.

Ai paralajmëroi se qëndrimi i Ramës ndaj sistemit të drejtësisë mund të sjellë ndëshkim politik dhe institucional nga Europa, duke e cilësuar situatën si një krizë të rëndë të shtetit ligjor në Shqipëri.

Në fund, Berisha i bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e paralajmëruar më 10 shkurt para Kryeministrisë, për të kërkuar largimin e Ramës dhe Ballukut, si dhe për të mbrojtur Kushtetutën dhe shtetin ligjor.

“T’i qëndrojmë ligjit dhe Kushtetutës është e vetmja rrugë për integrimin europian dhe për rikthimin e demokracisë funksionale në Shqipëri,” përfundoi ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related