Detaje të reja kanë dalë nga grabitja e armatosur e një argjendarie në Kamëz, ku dy autorë të maskuar arritën të marrin bizhuteri me vlerë rreth 7 milionë lekë të vjetra dhe të largohen pa u identifikuar.
Sipas hetimeve paraprake, e gjithë ngjarja ka zgjatur jo më shumë se një minutë. Kamerat e sigurisë të administruara nga policia tregojnë se autorët kanë hyrë të maskuar në argjendari, ndërsa njëri prej tyre ishte i armatosur me kallashnikov.
Pamjet filmike tregojnë se një nga grabitësit ka qëndruar te dera duke ruajtur hyrjen dhe motorin e përdorur për arratisje, ndërsa autori tjetër ka mbledhur me shpejtësi bizhuteritë nën kërcënimin e armës.
Pas grabitjes, dy autorët janë larguar me motor në drejtim të zonës së Zallherr. Në një moment ata kanë rrëshqitur dhe janë rrëzuar me motor, por më pas kanë vijuar arratisjen.
Policia ka shoqëruar disa persona me precedentë penalë në zonë për verifikime, por deri tani nuk ka arritur të identifikojë autorët, të cilët rezultojnë të kenë qenë të maskuar gjatë gjithë itinerarit të lëvizjes së tyre.
Ndërkohë, punonjësja e argjendarisë ka deklaruar se nuk është përballur drejtpërdrejt me grabitësit, pasi në momentin e ngjarjes ndodhej në pjesën e pasme të dyqanit dhe jo pranë banakut.
Hetimet vijojnë, ndërsa grupi hetimor po analizon kamerat e sigurisë dhe prova të tjera për të identifikuar autorët e grabitjes.
