U fsheh në Mal të Zi për t’i shpëtuar drejtësisë, kapet dhe ekstradohet në Shqipëri 31-vjeçari i kërkuar për kultivim kanabisi në Lezhë

Data

Një 31-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për kultivim të bimëve narkotike është arrestuar në Mal të Zi dhe është ekstraduar në Shqipëri, ku do të përballet me drejtësinë shqiptare. Bëhet fjalë për Magiljan Dedën, i lindur në Lezhë, i cili akuzohet si bashkautor në një nga rastet më të rënda të kultivimit të kanabisit në qarkun Lezhë gjatë këtij viti.

Sipas Policisë së Shtetit, arrestimi i tij u bë në Podgoricë, falë bashkëpunimit të ngushtë dhe shkëmbimit të informacioneve mes Interpol Tiranës dhe Interpol Podgoricës. Deda ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Lezhës i kishte caktuar në muajin prill masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Hetimet tregojnë se Magiljan Deda, së bashku me persona të tjerë të identifikuar gjatë operacionit policor të koduar “Vakumi”, ka kultivuar mijëra bimë narkotike në fshatrat Gocaj dhe Rraboshtë të Lezhës. Bimët dyshohet se janë përpunuar më pas me qëllim shitjen në treg.

Në kuadër të këtij operacioni, shërbimet e Policisë së Lezhës arritën të parandalojnë shpërndarjen e lëndës narkotike, duke sekuestruar në fshatin Balldre tre thasë me rreth 34 kilogramë kanabis, në muajin prill të këtij viti.

Pas ekstradimit në Shqipëri, 31-vjeçari pritet të dalë para organeve të drejtësisë për veprimet penale që i atribuohen, ndërsa hetimet për rrjetin e përfshirë në kultivimin dhe përpunimin e drogës vijojnë. Operacioni konsiderohet një tjetër goditje ndaj aktivitetit kriminal të kultivimit të kanabisit në veri të vendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related