Bardhi: Kuvendi të lejojë arrestimin e Ballukut, të hënën mblidhet Këshilli i Mandateve

Data

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi pezullimin nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku, duke kërkuar veprim të menjëhershëm nga Kuvendi për heqjen e imunitetit dhe lejimin e arrestimit të saj.

Në një deklaratë publike, Bardhi theksoi se Kuvendi duhet të thërrasë të hënën Këshillin e Mandateve, në mënyrë që të shqyrtohet kërkesa e SPAK dhe të mos ketë më vonesa që, sipas tij, përbëjnë pengim të drejtësisë.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për sulme të vazhdueshme ndaj drejtësisë, duke u shprehur se nga cilësimi i vendimeve si “budallallëk botëror” deri te akuzat për “drejtësi të papjekur”, kryeministri po përpiqet të delegjitimojë institucionet e pavarura.

“Problemi nuk janë metaforat e Ramës, por frika e tij nga drejtësia. Kur një kryeministër sulmon publikisht gjykatat, ai nuk po mbron një ministre, por po përpiqet të vendosë pushtetin e vet mbi ligjin,” u shpreh Bardhi.

Sipas tij, në një shtet ligjor drejtësia nuk garantohet nga një individ apo nga një parti politike, por nga Kushtetuta, ndarja e pushteteve dhe barazia para ligjit. Bardhi theksoi se shpallja e vetes si “garant i vetëm” i drejtësisë përbën një kërcënim për demokracinë.

Në fund, ai paralajmëroi se çdo vonesë tjetër në mbledhjen e Këshillit të Mandateve do të ishte një akt i qartë pengimi ndaj drejtësisë.

“Të hënën Kuvendi duhet të veprojë. Ligji nuk negociohet, ligji zbatohet,” përfundoi Bardhi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related