Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë të diel në qytetin e Vlorës, ku është dhunuar avokati i ish-presidentit Ilir Meta, Kujtim Cakrani.
Sipas informacioneve paraprake, Cakrani është përfshirë në një konflikt me disa persona në ambientet e një pike karburanti, për shkaqe që ende nuk janë bërë të qarta. Gjatë përplasjes, ai është goditur në fytyrë, dyshohet me derën e një automjeti.
Pas incidentit, avokati është transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ndodhet i shtruar në repartin e kirurgjisë dhe po merr ndihmën e nevojshme mjekësore. Burime spitalore bëjnë me dije se gjendja e tij është nën monitorim.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin e autorëve dhe sqarimin e motiveve që çuan në dhunimin e avokatit. Deri në këto momente, nuk ka persona të arrestuar.
Autoritetet pritet të japin detaje të mëtejshme në orët në vijim.
