Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë këtë të enjte në ceremoninë përkujtimore të 35-vjetorit të themelimit të degës së PD në Kavajë, një nga momentet që ai e cilësoi si historike për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri.
I shoqëruar nga drejtues lokalë të Partisë Demokratike, kryebashkiaku Fisnik Qosja dhe mbështetës të shumtë, Berisha mbajti një fjalim me tone të forta politike dhe historike, duke e cilësuar Kavajën si djepin e antikomunizmit shqiptar.
Ky aktivitet u zhvillua edhe në kuadër të mobilizimit të opozitës për protestën e madhe kombëtare të 22 dhjetorit, që pritet të mbahet në Tiranë.
“Në Kavajë u hodhën themelet e pluralizmit dhe të antikomunizmit. Ky qytet është simbol i njerëzve të lirë, i vlerave më të larta njerëzore dhe hyjnore – e drejta dhe liria”, deklaroi Berisha në fjalën e tij.
Ai kujtoi se dega e PD-së në Kavajë u formua më 17 dhjetor 1990, ndërsa u zyrtarizua më 18 dhjetor, duke theksuar se Partia Demokratike nuk u themelua vetëm në Qytetin Studenti, por paralelisht edhe në Kavajë.
“Kavaja me grupin e saj antikomunist i parapriu lëvizjes studentore dhe i dha goditjen e parë reale diktaturës. PD u themelua po aq në Kavajë sa edhe në Tiranë”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, ishte pikërisht lëvizja antikomuniste e Kavajës ajo që u përhap në të gjithë vendin dhe çoi drejt përmbysjes së regjimit komunist.
“Ishte lëvizja antikomuniste më e fuqishme në Shqipëri. Kavaja ka heroin e parë të demokracisë, Josif Budon. Ata dolën përballë regjimit me një betim historik: ‘O të vdesim, o të jetojmë për liri’. Ata çliruan Kavajën dhe frymëzuan gjithë Shqipërinë”, theksoi kreu i PD-së.
Në përfundim, Berisha e cilësoi Kavajën si një nga gurët themeltarë të demokracisë shqiptare, duke shtuar se beteja për liri, sipas tij, vazhdon edhe sot.
