Tre ngjarje rreth një individi, u kryqëzuan jo rastësisht në SHBA, kur Rama pasi kishte shpartalluar zgjedhjet me 11 maj, turrej plot triumf kënetor andej e këndej mes lobimeve, të merrte një dorë bekim amerikan. Por spaska qenë e thënë.
Rama ndonëse u përpoq pas fitores së Trump ta largojë veten nga klubi “Soros” duke fshirë si një testim fotot, u gjunjëzua nga publikimi për kujtesë e mos-harresë nga Aleksi, të cilat u shërbyen dhe si mesazh për të mos dalldisur sjellje. Kështu Rama udhëtoi për në dasmën e Aleks Soros bashkë me zonjën e tij, në këtë takim politik majtistësh amerikanë më shumë se sa aheng çiftimi. Po në këtë mbërritje dasmore të KM shqiptar, mediet amerikanë botuan një sërë shkrimesh duke lajmëruar sipas burimeve të tyre, se është rihapur dosja Rama-McGonigal.
E kjo ndodh kur ka të dhëna të cilat çmohen si të reja hetimore për rikthimin e çështjes. Sikur të mos mjaftonte kjo, vjen më pikant dhe më me shumë ndikim, botimi nga media më e madhe amerikane Fox News, dihet afria e saj me administratën Trump, e një shkrimi të diplomatit, ish-ambassadorit Agim Nesho, “Njihuni me Ramaduro-n”.
Shkrimi botuar në rubrikën opinion, merr një peshë ende më të madhe duke ditur se lexueshmëria e njërëzve politikë në këtë adresë mediatike, është e atyre personazheve ku shkojnë vendimmarrjet e mëdha. Saktësimet shkojnë edhe për lidhjet kriminale të pamohura nga KM, ndaj vjen krahasimi me vend me Maduron, apo miqësinë e ngjitur të Ramës me Soros dhe kundër-trumpizmin e të dyve si të bashkëstërvitur e cila nuk arnohet me një sazan.
