Vetëm tre ditë përpara protestës së paralajmëruar të opozitës, që pritet të zhvillohet të hënën më 22 dhjetor, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vendosur të largojë Ervin Salianjin nga posti i drejtuesit politik të Njësisë 6 në Tiranë, zonë e njohur ndryshe si Kombinati.
Vendimi vjen në një moment delikat për PD-në, kur strukturat janë të angazhuara në fazën finale të mobilizimit për protestën kundër qeverisë. Burime brenda selisë blu bëjnë me dije se largimi i Salianjit lidhet me përplasjet e fundit mes tij dhe lidershipit të partisë, kryesisht për takimet që ish-deputeti po zhvillon me strukturat e PD-së në qytete të ndryshme të vendit.
Kujtohet se në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Partisë Demokratike, Salianji pati debate të forta me sekretarin e përgjithshëm Flamur Noka, me vetë Berishën, si dhe me drejtuesin politik të PD-së në Elbasan, Blendi Himçi. Përplasjet kishin në fokus lëvizjet e Salianjit në bazë dhe kontaktet e tij të drejtpërdrejta me anëtarësinë.
Salianji u kritikua nga Noka se po ndërmerr një lëvizje të brendshme në PD, e cila sipas drejtuesve i shërben interesave të kryeministrit Edi Rama. Nga ana e tij, Salianji i mohoi akuzat, duke theksuar se brenda partisë duhet të lejohet mendimi ndryshe dhe se ai nuk duhet të shndërrohet në shënjestër të debatit të brendshëm.
“Sot duhet të flisnim vetëm për skandalin Rama–Balluku. Me këtë që po bëni, po zhvendosni vëmendjen. Problemi qenka shqetësimi që kanë demokratët dhe jo vjedhjet e qeverisë”, mësohet të ketë deklaruar Salianji gjatë mbledhjes së Kryesisë.
Ai ka sfiduar gjithashtu drejtuesit e PD-së, duke deklaruar se është i gatshëm të matet me ta për mobilizimin e demokratëve në terren. “Të dalë secili dhe të mbledhë aq njerëz sa unë në çdo zonë. Nëse kjo ndodh, PD-ja vetëm fiton”, ka thënë Salianji.
Largimi i tij nga drejtimi politik i Njësisë 6 shihet si një sinjal i qartë i tensioneve të brendshme në Partinë Demokratike, në një moment kyç për opozitën, vetëm pak ditë përpara protestës së paralajmëruar kundër qeverisë.
