Një tragjedi ajrore ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara, ku një avion i vogël është rrëzuar gjatë uljes në aeroportin e Karolinës së Veriut, duke shkaktuar viktima dhe një zjarr të madh.
Sipas mediave lokale, aeroplani i tipit Cessna C550 (Citation II) u rrëzua paraditen e sotme në Aeroportin Rajonal të Statesville, rreth orës 10:15 sipas kohës lokale. Përplasja ndodhi gjatë fazës së uljes, ndërsa menjëherë pas impaktit avioni u përfshi nga flakët.
Raportimet paraprake të WBTV bëjnë me dije se në bord ndodheshin gjashtë persona, ndërsa konfirmohet se ka disa viktima, pa u saktësuar ende numri i tyre. Autoritetet nuk kanë dhënë një bilanc zyrtar, pasi operacioni i verifikimit dhe identifikimit vijon.
Pamjet e publikuara nga vendngjarja tregojnë avionin të shkatërruar dhe të përfshirë nga zjarri, ndërsa ekipe zjarrfikëse dhe shërbime emergjente mbërritën menjëherë për të shuar flakët dhe për të ofruar ndihmë.
Aeroporti Rajonal i Statesville ndodhet pranë kryqëzimit të autostradave I-77 dhe I-40, rreth 10 minuta larg qendrës së qytetit dhe afërsisht 64 kilometra nga Charlotte. Pas incidentit, zona u rrethua dhe u mbyll përkohësisht për qarkullimin ajror.
Autoritetet federale të aviacionit dhe hetuesit e sigurisë ajrore kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e rrëzimit, ndërsa priten detaje të reja në orët në vijim.
