Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj akuzave se opozita po dëmton imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke deklaruar se është qeveria dhe kryeministri Edi Rama që, sipas tij, kanë nxirë kombin shqiptar përmes korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin.
I pyetur se çfarë fiton duke “nxirë kombin shqiptar”, Berisha u përgjigj se ky interpretim është i gabuar dhe se përgjegjësia për dëmtimin e imazhit të vendit bie mbi ata që organizojnë farsë elektorale dhe jo zgjedhje të lira.
Sipas Berishës, Shqipërinë e nxijnë ata që, siç u shpreh ai, presin në zyrat më të larta të shtetit përfaqësues të karteleve të drogës dhe u japin licenca për kazino dhe hotele luksoze. Ai akuzoi qeverinë se arreston liderë të opozitës në vit elektoral dhe se për këtë arsye është denoncuar nga dhjetëra parti politike në mbarë botën për dhunë politike.
Berisha theksoi se përgjegjës për njollosjen e emrit të vendit janë edhe ata që bllokojnë kërkesat e prokurorisë për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, duke përmendur rastin e zëvendëskryeministres, për të cilën tha se është kapur në flagrancë.
Ai akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Rama se, sipas tij, bashkë me familjen ka përvetësuar miliarda nga pasuritë publike, ndërsa fondet e investimeve janë grabitur masivisht, duke ndërtuar rrugë me kosto shumëfish më të larta se në vendet e BE-së, të cilat shkatërrohen që në reshjet e para.
Sipas Berishës, qeveria ka zhytur shqiptarët nga ndër më të paguarit në Ballkan, në qytetarë me paga dhe pensione më të ulëta, ndërsa gjatë 10 viteve të fundit ka detyruar mbi 1 milion shqiptarë të largohen nga vendi drejt hapësirës Schengen.
Ai shtoi se përqendrimi i pushteteve në një dorë dhe, sipas tij, marrja e të gjitha institucioneve me “puç politik”, ka nxjerrë Shqipërinë nga harta e demokracive dhe e ka futur në listën e autokracive.
Berisha deklaroi se sapo ishte kthyer nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës në Strasburg dhe se, sipas tij, në historinë 75-vjeçare të këtij institucioni, Edi Rama është i vetmi kryeministër të cilit i janë anuluar takime dhe një drekë zyrtare pas deklarimeve të tij.
Në përfundim, Berisha theksoi se denoncimet e tij publike synojnë të mbrojnë qytetarët shqiptarë të ndershëm dhe t’i tregojnë botës se, sipas tij, Rama përfaqëson vetëm veten dhe rrethet e krimit, por jo kombin shqiptar.
