Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të reja ndaj qeverisë, duke pretenduar se një hotel 20-katësh në Tiranë, i ndërtuar sipas tij me para të përfituara nga korrupsioni në Bashkinë e Tiranës, nuk po konfiskohet për shkak të lidhjeve të larta politike.
Gjatë fjalës së tij, Berisha deklaroi se aksionerë në këtë hotel janë Olsi Rama, vëllai i kryeministrit, dhe kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj. Ai e cilësoi këtë rast si vetëm “maja e ajsbergut” të asaj që, sipas tij, ka ndodhur me fondet publike gjatë viteve të fundit.
Sipas Berishës, gjatë 12 viteve të qeverisjes socialiste, janë administruar rreth 67 miliardë euro nga taksat e qytetarëve, ndërsa pretendoi se një pjesë dërrmuese e tyre është shpërdoruar ose përfituar në mënyrë të paligjshme.
“Hoteli 20-katësh në qelq nuk konfiskohet, sepse aty janë aksionerë Olsi Rama dhe Erion Veliaj. Por kjo është vetëm ajo që duket. Askush nuk e di se ku kanë shkuar miliardat e shqiptarëve,” u shpreh Berisha.
Ai akuzoi gjithashtu qeverinë për rritje të taksave dhe keqmenaxhim të fondeve publike, duke e cilësuar periudhën e fundit si një nga më të rëndat për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve.
Deklaratat u bënë në kuadër të turit të takimeve të opozitës me qytetarët, ku Berisha ka intensifikuar retorikën kundër qeverisë dhe drejtuesve të saj.
