Zv/kryeministrja Belinda Balluku, duket se ka ndërmarrë një fushatë të heshtur, por të fuqishme, për të uzurpuar dhe konsoliduar pushtetin në duar të saj. Ajo nuk është më thjesht një zëvendëse e kryeministrit Edi Rama, por një lojtar i rëndësishëm në regjimin qeverisës, duke shtuar në mënyrë të qëndrueshme ndikimin e saj brenda administratës shtetërore dhe madje Partisë Socialiste.
Me një lëvizje taktike të mençur, ajo dyshohet ka arritur të marrë nën kontroll jo vetëm Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, të cilën e drejton, por edhe të forcojë pozitat e saj në më shumë se gjysmën e kabinetit qeveritar, konkretisht në 6 ministri, sikundër janë Ministria e Mbrojtjes, Financave, Brendshme, Shëndetësi, apo atë të Bujqësisë, etj. Ajo ka arritur të vendosë në komandë Sekretarët e Përgjithshëm dhe të kontrollojë stafet e shumicës së ministrive të sipërpërmendura.
Skema
Nëpërmjet kësaj manovre, Balluku ka nxjerrë jashtë loje shumë ministra, duke marrë komandën e tyre nëpërmjet emërimit të Sekretarëve të Përgjithshëm, një lëvizje që gjithashtu ka përforcuar pozitat e saj përballë kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit, në një përpjekje për të ruajtur kontrollin mbi qeverinë, po përpiqet të zbehë influencën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, që ndodhet në mandatin e tij të tretë dhe të fundit. Ndërkohë, Rama duket se po fuqizon gjithnjë e më shumë Ballukun, duke e vendosur atë në një pozicion të jashtëzakonshëm ndikimi brenda qeverisë. Pushteti që Balluku ka fituar në mënyrë të heshtur është i jashtëzakonshëm.
Ajo ka arritur të ketë një ndikim të fuqishëm jo vetëm në sektorin e energjisë dhe infrastrukturës, por edhe në një sërë ministrish të tjera. Në këtë mënyrë, Balluku ka arritur të krijojë një hije të fortë në gjithë administratën shtetërore, duke emëruar të besuarit e saj si Sekretarë të Përgjithshëm në pozita kyçe dhe duke e kontrolluar administratën shtetërore nga pozita e saj e lartë dhe më kryesorja është se ajo ka nën kontroll edhe fondet. Lëvizjet e saj të mençura dhe ambicia për të kapur pushtetin e qeverisë janë gjithnjë e më të dukshme, duke e bërë atë një figurë të paevitueshme në politikën shqiptare.
Një tjetër veçori e këtij konsolidimi të pushtetit është se Balluku është gjithnjë e më shpesh në ekranet televizive, një shenjë që ky forcim i pozitave të saj nuk është thjesht një lojë brenda qeverisë, por një strategji për të rritur profilin e saj publik dhe për të tërhequr vëmendjen. Kjo gjithashtu është një lëvizje për të paraqitur veten si një lider të fuqishëm, të gatshëm të marrë përsipër rolin e drejtpërdrejtë në udhëheqjen e vendit. Ky është një pasqyrim i ambicieve të saj, ku ajo duket se është në rrugën për të fituar mbështetje dhe pushtet të mëtejshëm, për të vendosur drejtimin e politikave dhe vendimeve kryesore.
