Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i ka kthyer përgjigje Gjykatës së Posaçme lidhur me kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për të pasur akses në fashikujt hetimorë për dosjen e sterilizimit përmes një kompjuteri pa lidhje interneti. Sipas institucionit, infrastruktura aktuale në institucionet e vuajtjes së dënimit nuk e mundëson një praktikë të tillë.
Ndërkohë, seanca gjyqësore për Beqajn është shtyrë për më 3 shkurt, në orën 10:00. Gjatë seancës së fundit, ish-ministri ka akuzuar SPAK-un se po ushtron presion publik ndaj tij dhe se hetimi po zhvillohet në kushte që, sipas tij, cenojnë të drejtën për mbrojtje.
Beqaj është shprehur se çdo ditë transportohet nga paraburgimi i Durrësit për t’u njohur me materialet hetimore, por kjo mënyrë, sipas tij, nuk përbën një akses real dhe efektiv për studimin e dosjes, e cila përbëhet nga mijëra faqe dokumentacioni elektronik.
Ai ka theksuar se ligji dhe rregulloret në fuqi nuk e ndalojnë shprehimisht përdorimin e një kompjuteri pa internet nga të paraburgosurit, duke shtuar se mungesa e këtij mjeti e bën mbrojtjen vetëm formale. Beqaj ka kërkuar reagimin e institucioneve të drejtësisë dhe të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, duke paralajmëruar se pa akses të plotë në prova, procesi gjyqësor rrezikon të mos jetë i barabartë.
Një shqetësim i ngjashëm është ngritur më herët edhe nga zyrtarë të tjerë të arrestuar, të cilët kanë pretenduar se pamundësia për t’u njohur drejtpërdrejt me materialet hetimore cenon të drejtën kushtetuese për mbrojtje.
