Avokati i Ilir Meta: “Do të provojmë pafajësinë”, 120 dëshmitarë pjesë e procesit hetimor

Data

Avokati Kujtim Cakrani deklaroi pas seancës në GJKKO se mbrojtja e Ilir Meta do të paraqesë prova të reja dhe do të kërkojë të faktojë pafajësinë e ish-presidentit në procesin gjyqësor që vijon ndaj tij dhe Monika Kryemadhi.

Deklarata e avokatit erdhi pasi Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar për Fatime Kryemadhin dhe Pirro Xhixhon, ndërsa çështja për Metën dhe Monika Kryemadhin do të vijojë me gjykim të zakonshëm.

Cakrani tha se organi i akuzës nuk ka paraqitur prova konkrete që implikojnë Metën.

“Sot, prokurori nuk kishte asnjë lloj prove që të fajësonte Metën. Zoti Meta nuk përfshihej në asnjë bisedë, e-mail apo takim”, deklaroi ai.

Sipas avokatit, në dosje janë rreth 120 dëshmitarë të pyetur gjatë hetimeve paraprake, ndërsa mbrojtja pritet të thërrasë edhe dëshmitarë të tjerë.

“Janë rreth 120 dëshmitarë. Ka prova të reja që do t’i paraqesim në gjykatë. Do të provojmë pafajësinë”, u shpreh Cakrani.

Ai komentoi gjithashtu vendimin e gjykatës për të mos ndryshuar masën e sigurisë ndaj Metës, duke theksuar se beteja ligjore do të vazhdojë.

Në lidhje me debatin mbi gjestin e bërë nga Meta në sallën e gjyqit, Cakrani mohoi se bëhej fjalë për simbolin e numrit 7.

“Nuk bëri numrin 7, por shqiponjën. Meta është në lartësinë që kërkon pozicioni i tij si kryetar i PL-së”, tha ai.

Avokati shtoi gjithashtu se, sipas tij, përgjegjësinë për disa prej çështjeve financiare e ka marrë vetë Monika Kryemadhi që në fazën e hetimeve paraprake.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related