BE përjashton Shqipërinë nga Ministeriali i Energjisë, dështime serioze në politikat energjetike

Data

Qeveria shqiptare është përjashtuar nga Ministeriali i Energjisë i Bashkimit Evropian, pas konstatimit të shkeljeve të rënda dhe mosrespektimit të detyrimeve që Shqipëria kishte marrë përsipër në sektorin energjetik. Vendimi është marrë më 18 dhjetor 2025 nga Këshilli Ministror i Komunitetit të Energjisë.

Sipas vendimit, Shqipëria ka dështuar të miratojë dhe zbatojë brenda afateve ligjore legjislacionin kyç të BE-së për tregun e energjisë elektrike, sigurinë e furnizimit dhe funksionimin e sistemit energjetik. Për pasojë, vendi është skualifikuar nga pjesëmarrja në nivel ministror në strukturat e energjisë të Bashkimit Evropian.

Në dokumentin zyrtar theksohet se Shqipëria nuk ka përmbushur detyrimet që lidhen me harmonizimin e legjislacionit me direktivat dhe rregulloret evropiane për tregun e brendshëm të energjisë, përgatitjen ndaj rreziqeve energjetike, menaxhimin e emergjencave, balancimin e energjisë dhe operimin e sistemeve të transmetimit.

Gjithashtu, autoritetet shqiptare nuk kanë njoftuar Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë për masat e marra, duke shkelur vendime të mëparshme të viteve 2021 dhe 2022, si edhe dispozita thelbësore të Traktatit të Komunitetit të Energjisë.

Përjashtimi i Shqipërisë lidhet drejtpërdrejt me tre projektligje strategjike në sektorin energjetik, të cilat ishin nën përgjegjësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Bëhet fjalë për projektin e TEC-it të Roskovecit, anijet energjetike në Vlorë, të njohura si “Tigrat”, si dhe projektet e linjave të interkonjeksionit evropian.

Sipas vendimit, qeveria shqiptare është e detyruar të ndërmarrë menjëherë masa për të korrigjuar shkeljet dhe të raportojë gjatë gjithë vitit 2026 mbi hapat konkretë që do të ndërmerren për përafrimin me standardet evropiane. Në rast se shkeljet nuk korrigjohen deri më 1 korrik 2026, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë pritet të nisë procedura sanksionuese ndaj Shqipërisë.

Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe përbën një goditje të rëndë për kredibilitetin e qeverisë shqiptare në fushën e energjisë, duke vënë në pikëpyetje angazhimin real të vendit ndaj reformave dhe standardeve të Bashkimit Evropian.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related