“Ose bashkëpuno, ose ke plumbin në kokë” – Dosja e SPAK për AKSHI-n: Gerond Meçe rrëfen 6 orët e rrëmbimit dhe kërcënimet për jetën e familjes

Data

Dosja e Prokurorisë së Posaçme për aferën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) përmban dëshmi tronditëse mbi rrëmbimin dhe mbajtjen peng të biznesmenit Gerond Meçe, një prej operatorëve ekonomikë që garonte dhe ankimoi tenderët e kësaj agjencie.

Në dëshminë e dhënë më 22 gusht 2025 para prokurorëve të SPAK, Meçe ka rrëfyer me detaje 6 orët e pengmarrjes, duke shpjeguar se si katër persona, të maskuar si punonjës të shtetit, e mashtruan, e rrëmbyen dhe e kërcënuan për ta detyruar të tërhiqej nga ankimimet në Komisionin e Prokurimit Publik.

Sipas dëshmisë, rrëmbimi ndodhi në oborrin e pallatit të tij, ku një automjet tip “Range Rover Defender” i preu rrugën. Një prej personave, i veshur me uniformë dhe jelek me mbishkrimin “BKH”, iu drejtua duke i thënë: “Jemi SPAK-u, duhet të vish me ne”. I bindur se bëhej fjalë për autoritetet, Meçe nuk bëri rezistencë.

Ai përshkruan se në makinë ndodheshin katër persona. Dy prej tyre ishin të shëndoshë, të veshur me bluza që ngjanin me ato të policisë, me xhinse të zeza dhe pa maska. Njëri kishte tatuazh në dorë, ndërsa tjetri kishte të gjithë parakrahun e tatuazhuar bardh e zi. Shoferi i automjetit ishte i vetmi i maskuar.

Pasi u fut në makinë, personat tentuan t’i vendosnin prangat, por mënyra jo profesionale e veprimit e bëri Meçen të dyshonte se nuk ishin punonjës të vërtetë. Kur ai kërkoi dokumente dhe insistoi të telefononte familjen, iu vendos një kapuç i zi në kokë dhe automjeti u largua me shpejtësi.

Fillimisht iu tha se po e çonin në komisariat, por Meçe kuptoi shpejt se po nxirrej jashtë Tiranës. Automjeti mori rrugën e Kërrabës në drejtim të Elbasanit. Pasi kaluan zonën e Astirit, rrëmbyesit ia hoqën kapuçin dhe e mbajtën me forcë me kokën poshtë.

Rreth orës 11:20, ata u ndalën në një zonë të izoluar pranë fshatit Graçen. Aty i kërkuan kodin e telefonit. Meçe refuzoi dhe në këtë moment u godit me shuplakë. Telefonin ia zhbllokuan me forcë dhe e vendosën menjëherë në “airplane mode”.

Në këtë moment nisën kërcënimet e drejtpërdrejta për jetën. Njëri prej tyre i tha:

“Ne po të kërkojmë të bashkëpunosh, ose ke plumbin në kokë”, duke i treguar armën që mbante në brez. Një tjetër nxirrte dhe fuste karikatorin e pistoletës për ta frikësuar.

Më pas, një prej pengmarrësve solli një zarf të bardhë ku ndodhej një tabelë Excel me listën e tenderëve të ankimuar nga kompania e Meçes. Mesazhi ishte i qartë: ai duhej të tërhiqej nga ankimimet.

“Janë tenderat që ke ankimuar. Duhet të tërhiqesh. Nuk kemi punë me paratë e tua”, i thanë ata.

Meçe u përpoq të fitonte kohë, duke shpjeguar se nuk ishte më administrator dhe se mund të vepronte ditën tjetër, vetëm nëse lirohej. Në një moment, rrëmbyesit përdorën telefonin e tij për të kontaktuar administratorin e kompanisë “ABS”, ndërsa Meçe dyshon se në vendngjarje ishte afruar edhe një person i pestë me një automjet tjetër.

Pas disa orësh pritje, pengmarrësit verifikuan se familjarët nuk kishin bërë denoncim në polici. Rreth orës 15:10, e futën sërish në makinë dhe pas gjithsej 6 orësh pengmarrje, e lanë në afërsi të rrethrrotullimit të Bradasheshit.

Para se ta lironin, kërcënimi final ishte brutal:

“Nuk dua probleme nga ty. Nuk dua denoncime. Nëse flet, do të vrasim ty, gruan, motrën dhe nënën. Baba nuk ke.”

Sipas dëshmisë, ky ishte kontakti i fundit me rrëmbyesit. Meçe ka deklaruar se nuk e denoncoi menjëherë ngjarjen për shkak të frikës dhe pasi më herët, përmes ndërmjetësve, ishte paralajmëruar të qëndronte larg çështjeve që lidhen me AKSHI-n.

Kjo dëshmi përbën një nga provat më të rënda në dosjen e SPAK, duke hedhur dritë mbi përdorimin e dhunës, kërcënimeve dhe pengmarrjes për kontrollin e tenderëve publikë në sektorin e teknologjisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related