E veshur me xhaketë të bardhë përkrah një ekrani me sfond të kuq, ku shquhej slogani “KuvendON”, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali nisi më 22 tetor nga Berati një fushatë takimesh, e prezantuar për publikun si një nismë për të afruar institucionin më të lartë të vendit me qytetarët.
Megjithatë, në tribunë përkrah Spiropalit u ul kryetari i Bashkisë së Beratit, Ervin Demo, njëherazi drejtues politik i Partisë Socialiste për qarkun, ndërsa në sallë ishin të pranishëm deputetë të tjerë socialistë të qarkut.
I prezantuar si një aktivitet i Kuvendit të Shqipërisë, takimi u dominua gjithsesi nga qëndrimet dhe premtimet politike, të tilla si rritja e pensioneve apo ndihma për grupe të ndryshme të shoqërisë.
Kuvendi e përshkruan nismën si “një program i cili do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë si një platformë “llogaridhënieje” gjithëpërfshirëse, ku qytetarët nxiten t’i shprehin shqetësimet drejtpërdrejt Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë”, në kuadër të “Javës së Gjelbër”.
