Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi se Prokuroria e Posaçme ka kërkuar ndërhyrje urgjente të Kuvendit për çështjen e Belinda Ballukut, duke paralajmëruar rrezik serioz për hetimin nëse ajo vijon të qëndrojë në gjendje të lirë.
Bardhi dhe deputetët opozitarë anëtarë të Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit u paraqitën në mbledhjen e thirrur prej tyre, ndërsa përfaqësuesit e mazhorancës nuk morën pjesë. Sipas Bardhit, kjo sjellje përbën pengim të drejtpërdrejtë të drejtësisë.
Ai akuzoi anëtarët socialistë të Këshillit se po sillen si mbrojtës politikë të të pandehurës.
“Njësoj si personat që i fshihen drejtësisë, edhe kolegët e mazhorancës sot janë fshehur. Kjo është forma më e rëndë e pengimit të drejtësisë në këto vite demokraci,” u shpreh Bardhi.
Gjatë fjalës së tij, ai lexoi pjesë nga kërkesa zyrtare e SPAK drejtuar Kuvendit, ku argumentohet se situata është përkeqësuar dhe se nevojiten masa më të forta sigurie ndaj Ballukut.
Sipas Bardhit, SPAK konstaton se gjatë hetimeve, përmes përdorimit të metodave speciale, janë siguruar të dhëna se e pandehura ka ushtruar presion ndaj dëshmitarëve, konkretisht ndaj një vartëseje të saj.
“Gjendja e lirë e të pandehurës paraqet rrezik real për hetimin. Ekziston mundësia e asgjësimit apo prishjes së provave, si dhe rreziku i largimit,” theksoi ai duke cituar kërkesën e prokurorisë.
Bardhi shtoi se SPAK ka kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë, pasi ndaj Ballukut po zhvillohen hetime edhe për procedura të tjera penale, çka rëndon më tej pozitën e saj.
“Bëhet fjalë për akuza që kapin vlerën e 1.1 miliardë eurove dhe megjithatë mazhoranca zgjedh të bllokojë procesin,” deklaroi ai.
Në përfundim, kreu i grupit parlamentar të PD akuzoi kryeministrin për urdhër politik ndaj deputetëve socialistë për të mos lejuar mbledhjen e Këshillit.
“Nuk mund të pranohet që Kuvendi të shndërrohet në strehë politike për të pandehurit. Pengimi i drejtësisë është akt i rëndë dhe historia do ta gjykojë,” përfundoi Bardhi.
