Valës së protestave kundër qeverisë shqiptare i janë bashkuar edhe shqiptarët e diasporës në Suedi, të cilët këtë fundjavë organizuan një tubim në zemër të Stokholmit, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe duke shprehur shqetësimin e tyre për të ardhmen e vendit.
Nën thirrjet “Rama jep dorëheqjen”, “Rama në burg” dhe “Mos e shisni Shqipërinë”, dhjetëra emigrantë shqiptarë u mblodhën për të shprehur pakënaqësinë ndaj zhvillimeve politike dhe ekonomike në vend. Protesta në Stokholm vjen në një moment kur lëvizja qytetare kundër qeverisë ka hyrë në javën e dytë në Shqipëri dhe po përhapet gradualisht edhe në komunitetet shqiptare jashtë vendit.
Organizatorët theksuan se protesta nuk ka karakter partiak, por qytetar, dhe synon të mbrojë interesat kombëtare, identitetin shqiptar dhe të ardhmen e brezave të rinj.
“Jemi këtu sepse Shqipëria është shtëpia jonë. Edhe pse jetojmë larg, zemra jonë mbetet atje. Nuk mund të qëndrojmë indiferentë kur shohim se vendi po zbrazet, të rinjtë po largohen dhe trojet shqiptare po trajtohen si mall tregu”, u shpreh një nga pjesëmarrësit.
Shqetësimi për trojet shqiptare
Një nga temat kryesore të ngritura gjatë protestës ishte kundërshtimi ndaj projekteve që, sipas protestuesve, rrezikojnë pasuritë natyrore dhe territorin shqiptar.
Emigrantët e pranishëm shprehën shqetësimin për atë që e cilësuan si “tjetërsim të trojeve shqiptare” dhe kërkuan më shumë transparencë mbi investimet e mëdha që po zhvillohen në bregdet dhe zona të mbrojtura.
“Ne kthehemi çdo vit në Shqipëri për të shijuar vendin tonë. Por çdo ditë po shohim se hapësirat publike po zvogëlohen dhe se vendi po humbet identitetin e tij. Shqipëria nuk është pronë e askujt për t’u shitur sipas interesave të momentit”, u shpreh një protestuese.
Alarm për gjuhën dhe identitetin kombëtar
Një tjetër shqetësim i ngritur gjatë tubimit ishte mungesa e mbështetjes për arsimin shqip në diasporë.
Shumë prindër treguan vështirësitë që hasin për t’u mësuar fëmijëve gjuhën, historinë dhe kulturën shqiptare, duke theksuar se shteti shqiptar ka bërë shumë pak për të ndihmuar komunitetet jashtë vendit.
“Fëmijët tanë mësojnë shqip nga rrjetet sociale dhe nga përpjekjet tona personale. Nuk kemi shkolla të mjaftueshme, nuk kemi mësues dhe nuk kemi mbështetje institucionale. Si mund të ruajmë identitetin kombëtar në këto kushte?”, tha një nënë shqiptare që jeton prej më shumë se 20 vitesh në Suedi.
Sipas saj, shumë fëmijë të emigrantëve njohin pak ose aspak figurat historike shqiptare, duke e bërë edhe më të domosdoshëm investimin në arsimin dhe kulturën kombëtare.
“Shqipëria po boshatiset”
Gjatë fjalimeve u ngrit edhe shqetësimi për emigracionin masiv dhe plakjen e popullsisë në Shqipëri.
Pjesëmarrësit theksuan se largimi i të rinjve, mungesa e perspektivës ekonomike dhe problemet në shëndetësi e arsim po e shtyjnë vendin drejt një krize të thellë demografike.
“Shqipëria po boshatiset çdo ditë. Brezat e rinj largohen sepse nuk shohin mundësi. Prindërit mbeten vetëm. Kjo nuk është e ardhmja që meritojnë shqiptarët”, deklaroi një tjetër pjesëmarrës.
Protestat përhapen në diasporë
Tubimi në Stokholm është pjesë e një serie protestash të organizuara nga diaspora shqiptare në qytete të ndryshme europiane dhe amerikane.
Në ditët e fundit janë raportuar protesta dhe tubime solidariteti në Bruksel, Londër, Romë, Milano, Nju Jork, Dublin dhe qytete të tjera, ku emigrantët shqiptarë kanë shprehur mbështetjen e tyre për protestat qytetare që po zhvillohen në Shqipëri.
Organizatorët në Suedi paralajmëruan se protestat do të vazhdojnë edhe në javët e ardhshme, duke theksuar se qëllimi i tyre është të mbajnë të gjallë vëmendjen publike ndaj problemeve që, sipas tyre, po përballen qytetarët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit.
“Ne nuk jemi këtu për interesa politike. Jemi këtu sepse duam një Shqipëri më të drejtë, më të zhvilluar dhe më të denjë për brezat që do të vijnë. Nuk do të ndalemi së ngrituri zërin për vendin tonë”, u shprehën protestuesit në përfundim të tubimit.
