E-Albania jashtë funksionit, shteti “virtual” merr pushimet – bizneset të bllokuara dhe në kaos

Data

Prej ditësh, sistemi e-Albania rezulton jashtë funksionit ose punon me ndërprerje serioze, duke paralizuar aktivitetin e mijëra bizneseve në të gjithë vendin. Ndërsa administrata publike shijon pushime të zgjatura për shkak të festave, sektori privat përballet me një realitet krejt tjetër: pamundësinë për të punuar.

Me datën 25 dhjetor që ra ditë feste dhe vendimin për ta kthyer edhe të premten në pushim zyrtar për administratën, institucionet shtetërore praktikisht janë mbyllur për katër ditë radhazi. Teorikisht kjo nuk duhet të kishte asnjë ndikim, pasi shërbimet janë zhvendosur online. Praktikisht, ndodhi e kundërta.

Bizneset raportojnë se shumica e shërbimeve digjitale nuk funksionojnë ose janë jashtëzakonisht të ngadalta. Që nga regjistrimi i shoqërive të reja, ndryshimi i kuotave, shtimi i punonjësve, aplikimet për barrë lindjeje, deri te shkarkimi i certifikatave personale, gjithçka rezulton e bllokuar.

Probleme serioze raportohen edhe në sistemin “Self Care”, ku është e pamundur të lëshohet faturë apo të kryhen veprime bazë financiare. Edhe hyrja në platformë shpesh dështon, pasi kodi i aksesit nuk vjen fare ose faqja mbetet bosh për minuta të tëra.

Ndërkohë, edhe pse sistemi i tatimeve funksionon pjesërisht, ndërlidhja përmes e-Albania krijon pengesa të vazhdueshme, duke e bërë të pamundur punën për kontabilistët dhe ekonomistët.

“Shërbimet nuk hapen. Fut të dhënat, por sistemi nuk përgjigjet. Kemi klientë që presin, afate që digjen dhe askush nuk mban përgjegjësi”, shprehen profesionistë të fushës.

Situata është kthyer në një problem serioz ekonomik, pasi bizneset nuk kanë luksin të pushojnë. Pagat, qiratë dhe detyrimet vazhdojnë, ndërsa shteti – si fizik ashtu edhe virtual – është jashtë loje.

Me administratën të mbyllur, platformën digjitale të rrëzuar dhe mungesë totale komunikimi, sipërmarrjet ndihen të braktisura dhe pa asnjë adresë ankese.

Në fund, Shqipëria rrezikon të mbetet shembulli i vetëm ku bizneset i kërkojnë qeverisë jo ndihmë apo lehtësira, por thjesht një gjë elementare: t’i lërë të punojnë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related