Balluku reagon për herë të parë ndaj SPAK: S’kam lidhje me korrupsionin, nuk kam 300 apartamente

Data

Ish-zëvendëskryeministrja dhe ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka reaguar publikisht për herë të parë pas hetimeve të nisura ndaj saj nga SPAK, i cili ka kërkuar edhe arrestimin e saj.

Deklarata e saj u bë gjatë ceremonisë së prezantimit të ministrit të ri të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, në ministrinë që ajo drejtonte deri së fundmi.

Gjatë fjalës së saj, Balluku vlerësoi punën e bërë nga institucioni dhe u shpreh krenare për projektet e realizuara gjatë mandatit të saj.

“Unë kam marrë një vendim personal që të hesht për një çështje juridike, sepse ajo nuk zgjidhet as në rrjetet sociale dhe as në studiot televizive, por duhet të ndjekë rrjedhën që parashikon Kushtetuta dhe ligji”, deklaroi ajo.

Balluku theksoi se ka mbështetur vazhdimisht reformën në drejtësi dhe pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, duke shtuar se nuk do të komentojë veprimet e prokurorëve apo gjyqtarëve.

“Nuk do të përmend prokurorë apo gjyqtarë. Ata duhet të bëjnë detyrën e tyre, ashtu siç kam bërë edhe unë timen”, u shpreh ish-ministrja.

Ajo mohoi gjithashtu akuzat për pasuri të pajustifikuara, duke deklaruar se nuk ka lidhje me korrupsionin.

“Nuk kam dhe s’kam lidhje me korrupsionin. Nuk kam as 300, as 30 dhe as 3 apartamente. Nuk kam jahte, limuzina, helikopterë apo avionë”, tha Balluku.

Gjatë ceremonisë, ajo prezantoi edhe ministrin e ri Karakaçi, duke theksuar se ai është një produkt i administratës së ministrisë dhe një shembull për zhvillimin profesional brenda institucionit.

Reagimi i saj vjen në një kohë kur SPAK po vijon hetimet ndaj ish-zyrtares së lartë për disa çështje që lidhen me projekte infrastrukturore dhe procedura tenderimi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related