Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas deklaratës së ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila foli publikisht për akuzat e ngritura ndaj saj nga SPAK.
I ftuar në një studio televizive, Këlliçi kritikoi deklaratat e Ballukut, duke thënë se zyrtarët e qeverisë përpiqen të justifikojnë veten edhe kur, sipas tij, aferat korruptive janë bërë publike.
“Sot pamë edhe një herë që këta nuk janë socialistë, por specialistë. Edhe kur janë vërtetuar aferat korruptive, prapë këta specialistë e gjejnë forcën të gënjejnë publikisht në këtë mënyrë dhe në këtë nivel”, u shpreh ai.
Sipas deputetit demokrat, në vend që të merrte përgjegjësi morale dhe ligjore, Balluku zgjodhi të mbajë qëndrime publike për ligjin dhe shtetin, gjë që ai e cilësoi të papranueshme.
“Në vend që të merrte përgjegjësinë morale dhe ligjore, është e turpshme të shohim një zyrtar të akuzuar të mbajë moral për ligjin dhe shtetin”, deklaroi Këlliçi.
Ai shtoi se nga përgjimet dhe hetimet e bëra publike, sipas tij, janë shfaqur lidhje dhe tentativa për presion ndaj prokurorëve dhe dëshmitarëve.
Duke komentuar zhvillimet politike, Këlliçi u shpreh se kryeministri Edi Rama do të mbrojë Ballukun në seancën parlamentare të 12 marsit, ndërsa sipas tij mazhoranca do të përpiqet të fajësojë opozitën për situatën.
“Rama është i destinuar të bjerë me Ballukun. Historia politike e saj është kapitull i mbyllur dhe karrierë e mbyllur në mënyrën më të keqe të mundshme. Tani është në lojë historia e saj penale dhe juridike”, deklaroi Këlliçi.
Sipas tij, Balluku ka të drejtë të mbrojë veten në procesin ligjor, por karriera e saj politike tashmë, sipas Këlliçit, ka marrë fund.
