Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar sërish lidhur me zhvillimet politike në vend, duke paralajmëruar rrezik serioz për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Në reagimin e tij, Berisha akuzon kryeministrin Edi Rama se po shpërfill vendimet e gjykatave dhe po ndërhyn në sistemin e drejtësisë për të mbrojtur zëvendësen e tij, Belinda Balluku, e cila përballet me kërkesë për heqjen e imunitetit parlamentar dhe arrestim, lidhur me afera të dyshuara që, sipas opozitës, kapin vlerën mbi 1 miliard euro.
Sipas Berishës, këto veprime po vënë në rrezik të drejtpërdrejtë rrugën europiane të vendit dhe mund të sjellin pasoja të rënda për Shqipërinë.
“Edi Rama po luan me fatin e çdo shqiptari për të shpëtuar veten. Burime serioze flasin për rrezikun e zhbërjes së procesit të integrimit për shkak të veprimeve të tij. Prandaj 10 shkurti është dita e dinjitetit, guximit dhe vendosmërisë për të marrë fatin në duart tona”, shkruan Berisha.
Kreu i opozitës u bën thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar për datën 10 shkurt, duke e cilësuar atë si një reagim të domosdoshëm ndaj, sipas tij, kapjes së shtetit dhe rrezikimit të së ardhmes europiane të Shqipërisë.
