“Balluku në pozitë që kontrollon Ramën”, gazetari Toska: Mund të ketë prova për afera të përbashkëta

Data

Gazetari Almer Toska ka komentuar zhvillimet e fundit mes politikës dhe drejtësisë në vend, duke u ndalur te situata e ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin.

I ftuar në një studio televizive, Toska u shpreh se Balluku mund të ndodhet në një pozitë të fortë përballë kryeministrit Edi Rama, nëse ajo disponon informacione apo prova që lidhen me afera të përbashkëta.

Sipas tij, kjo mund të jetë një nga arsyet pse kryeministri mund të ndjehet nën presion dhe të kërkojë të shtyjë procedurat për heqjen e mandatit të saj.

“Balluku është në një pozitë që kontrollon Edi Ramën sa kohë që ka prova të përfshirjes në afera të përbashkëta. Këto prova që ajo mund të disponojë janë një nga arsyet pse Rama mund të ndjehet i frikësuar prej saj dhe të shtyjë heqjen e mandatit”, u shpreh Toska.

Ai përmendi gjithashtu pretendimet që qarkullojnë në qarqet politike, sipas të cilave Balluku mund të ketë ndikim edhe mbi një grup deputetësh të mazhorancës.

“Përflitet se ajo ka rreth 20 deputetë që janë besnikë të saj dhe që mund të ndikojnë edhe në një skenar të mundshëm për rrëzimin e qeverisë në Kuvend në rast të një vote mosbesimi”, tha ai.

Toska shtoi se shkarkimi i Ballukut nga detyrat qeveritare mund të ketë qenë një lëvizje taktike e kryeministrit Rama për të ulur presionin ndërkombëtar, ndërsa ndikimi i saj mund të vijojë përmes njerëzve të afërt në strukturat e ministrive.

Duke folur për hetimet, gazetari u shpreh se nëse akuzat provohen në gjykatë, Balluku mund të përballet me pasoja të rënda ligjore.

“Mendoj se ajo që përflitet është se Balluku nuk do dalë nga kjo histori pa u dënuar të paktën 4-5 vite burg. Minimalisht nuk shpëton pa 5 vite burg. Mendoj se Balluku është ministrja e parë femër që mund të dënohet me burg”, deklaroi Toska.

Në fund, ai theksoi se qeveria mund të ndërmarrë edhe ndryshime ligjore, duke shtuar se kryeministri Rama po konsultohet edhe me ekspertë ndërkombëtarë për këtë proces. Sipas Toskës, në këtë kuadër përmendet edhe emri i juristit Drago Kos, vëllai i komisioneres së BE për zgjerimin, Marta Kos.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related