Il Fatto Quotidiano: Financimi me 4 milionë euro i koncertit të Kanye West ndez debat në Shqipëri

Data

Media italiane Il Fatto Quotidiano i ka kushtuar një artikull vendimit të qeverisë shqiptare për të financuar me rreth 4 milionë euro koncertin e reperit amerikan Kanye West, duke e lidhur këtë zhvillim me debatin publik dhe protestat që po zhvillohen në vend.

Sipas artikullit, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria ndërhyri financiarisht në momentet e fundit për të shmangur anulimin e koncertit.

“Ne u detyruam të financonim 4 milionë euro në minutën e fundit për koncertin e Kanye West, përndryshe do të ishte anuluar”, citohet Rama nga media italiane.

Artikulli vëren se, disa ditë para koncertit të planifikuar më 11 korrik, në platformën zyrtare të shitjes së biletave rezultonin ende mijëra vende të lira. Sipas medias, çmimet e biletave – nga 292 deri në 339 euro – mund të kenë ndikuar në nivelin e ulët të shitjeve.

Il Fatto Quotidiano ndalet edhe te vendimi i qeverisë për të përdorur fondin rezervë të shtetit për financimin e koncertit, duke theksuar se ky veprim ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik.

Artikulli citon reagime të qytetarëve dhe komente në rrjetet sociale, ku vihet në diskutim përdorimi i fondeve publike në një kohë kur shumë qytetarë përballen me vështirësi ekonomike.

Po ashtu, media italiane përfshin edhe qëndrimin e gazetares Alice Ophelia, e cila argumenton se prioritetet e investimeve publike duhet të fokusohen te problematika si infrastruktura, menaxhimi i mbetjeve dhe shërbimet publike.

Në shkrim përmendet gjithashtu stadiumi i përkohshëm Eagle Stadium, i ndërtuar për koncertin, si dhe polemikat që kanë shoqëruar Kanye West në vitet e fundit për deklaratat e tij publike.

Në përfundim, Il Fatto Quotidiano thekson se vendimi për financimin e koncertit vjen në një periudhë të tensionuar politikisht në Shqipëri, ku prej javësh zhvillohen protesta kundër qeverisë, ndërsa ekzekutivi argumenton se eventi pritet të ketë ndikim pozitiv në turizëm, ekonomi dhe promovimin ndërkombëtar të vendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related