Balliu: Një zv.kryeministre me 300 apartamente është çmenduri, duhet t’i detyrojmë të japin dorëheqje

Data

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar ashpër ndaj akuzave që lidhen me pasurinë e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar situatën si të paprecedentë dhe alarmante për demokracinë në vend.

I ftuar në emisionin “Kjo Javë”, Balliu u shpreh se nga hetimet rezulton se Balluku zotëron rreth 300 apartamente, një pasuri që sipas tij përbën “çmenduri absolute” për një zyrtare të lartë shteti. Ai e krahasoi këtë situatë me regjime autoritare, duke deklaruar se “as Gadafi nuk kishte një pasuri të tillë”.

Deputeti demokrat solli në vëmendje edhe skandalin e AKSHI-t, duke përmendur emrin e Ergys Agasit, të cilin e quajti koordinator të kryeministrit me krimin e organizuar. Sipas Balliut, vetëm në shtëpinë e Agasit janë gjetur pasuri të konsiderueshme, përfshirë shishe vere me vlerë rreth 3 milionë euro.

“Qytetarët e kanë kuptuar se me kë kanë përballë. Një qeveri e kapur duke vjedhur do të bëjë gjithçka për të qëndruar në pushtet. Nuk japin dorëheqje vetë, duhet t’i detyrojmë ta bëjnë”, u shpreh Balliu.

Ai deklaroi se protesta e paralajmëruar nga opozita synon përballjen direkte me qeverinë dhe mbrojtjen e demokracisë, duke shtuar se nëse nuk ka reagim institucional dhe largim nga pushteti, do të kërkohet një qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme.

Sipas Balliut, kjo qeveri nuk ka më legjitimitetin për të organizuar zgjedhje, ndërsa theksoi se opozita nuk përjashton asnjë formë aksioni politik. “Qytetarët janë në të drejtën e tyre legjitime për të kërkuar largimin e kësaj qeverie”, tha ai.

Në fund të fjalës së tij, Balliu ngriti pikëpyetje mbi pasurinë e kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se rasti i një zëvendëskryeministreje me qindra apartamente është unik në botë dhe një tregues i qartë i kapjes së shtetit nga korrupsioni.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related