Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka akuzuar mazhorancën në seancën plenare se po zvarrit qëllimisht shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balliu deklaroi se raporti i Këshillit të Mandateve nuk është futur në rendin e ditës, pavarësisht se sipas tij kanë kaluar tre muaj nga kërkesa e Prokurorisë së Posaçme.
Ai e cilësoi këtë situatë si një bashkëpunim me krimin dhe tha se zvarritja e procedurave po i jep kohë personave të përfshirë për të ndërhyrë në hetim.
“Po i jepet kohë krimit të organizuar që të ndërrojë dëshmitë dhe të ndëshkojë dëshmitarët. Ose jemi në parlament, ose në narkoshtet, ndaj respektoni rregulloren”, u shpreh Balliu.
Deputeti demokrat shtoi se sipas tij në dosjen e prokurorisë përmenden raste ku dëshmitarët janë kërcënuar nga persona të lidhur me krimin.
Balliu kërkoi që Kuvendi të respektojë rregulloren dhe të shqyrtojë menjëherë raportin për çështjen e imunitetit të Ballukut, duke theksuar se drejtësia duhet të lejohet të bëjë punën e saj.
Deklaratat e tij u bënë gjatë një seance plenare të tensionuar, ku opozita dhe mazhoranca janë përplasur për procedurat dhe afatet që lidhen me kërkesën e SPAK ndaj ish-zv/kryeministres.
