Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar ashpër mazhorancën dhe ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku gjatë fjalës së tij në seancën plenare të Kuvendit.
Pas rihapjes së seancës, e cila u ndërpre për pesë minuta nga kryeparlamentari Niko Peleshi për shkak të tensioneve në sallë, Berisha deklaroi se çështja e Ballukut është tashmë një çështje ndërkombëtare dhe se Kuvendi duhej të kishte votuar menjëherë për arrestimin e saj.
Sipas tij, mazhoranca po përpiqet të fshehë atë që e cilësoi si “krim të rëndë ndaj shqiptarëve”, duke emëruar në poste ministrore persona që sipas tij janë bashkëpunëtorë të afërt të Ballukut.
“Pseudo-mazhoranca bën gjithçka të fshehë dhe të maskojë krimin e shëmtuar ndaj shqiptarëve. Sot nuk duhet të kishte asnjë çështje tjetër në këtë Kuvend përveç imunitetit të Ballukut”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se, sipas tij, pavarësisht përpjekjeve për ta shtyrë këtë çështje, askush nuk do të mund ta mbrojë Ballukun nga drejtësia.
Berisha e akuzoi ish-zëvendëskryeministren për korrupsion dhe tha se rasti i saj është një test për drejtësinë dhe për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Deklaratat e kreut të PD u bënë në një seancë plenare të shoqëruar me tensione të shumta mes opozitës dhe mazhorancës, ndërsa debati për çështjen e imunitetit të Ballukut vijon të mbetet në qendër të përplasjeve politike.
