Rreth 300 banorë të lagjes “Skënderbej” në Elbasan kanë protestuar për mungesën e energjisë elektrike, problem që sipas tyre vazhdon prej disa ditësh dhe ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në furnizimin me ujë.
Pa energji dhe pa ujë të rregullt, banorët shprehen se janë detyruar të përballen me kushte minimale jetese, ndërsa situata ka prekur edhe aktivitetin ekonomik në zonë.
Bizneset e vogla, veçanërisht ato ushqimore, raportojnë humbje për shkak të ndërprerjeve të gjata të energjisë. Frigoriferët qëndrojnë të fikur për orë të tëra, duke rrezikuar prishjen e produkteve dhe dëme financiare për tregtarët.
Nga ana tjetër, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSSH) ka sqaruar se ndërprerja lidhet me punime në rrjet, konkretisht me stakimin e një fidri në nënstacionin “Kombinati i Drurit”.
Sipas OSSH, ndërhyrjet janë pjesë e një projekti strategjik për ndërtimin e linjës së interkoneksionit Bitola–Elbasan–Fier, që synon përmirësimin dhe zgjerimin e rrjetit energjetik në vend.
Autoritetet bëjnë të ditur se po merren masa për furnizim alternativ në zonë dhe se ndërprerjet pritet të jenë të përkohshme, të kufizuara vetëm gjatë fazave të punimeve teknike.
