Nedim Bajrami u rikthye në fushë me fanellën e Rejnxhërsit dhe u bë protagonist absolut, duke shmangur humbjen e skuadrës së tij me një gol në sekondat e fundit të ndeshjes ndaj Dandit. Mesfushori i Kombëtares shqiptare tha pas sfidës se ndihet i lumtur që i është rikthyer golit dhe aktivizimit të rregullt.
“Kam shumë eksperiencë me penalltitë dhe jam i kënaqur që m’u besua ajo goditje. Ishte e rëndësishme për skuadrën dhe për mua personalisht. Ky ka qenë një sezon zhgënjyes, më është dashur të pres gjatë për shansin tim. E kaluara është e kaluar. Jam rikthyer në formacion dhe i lumtur që po ndihmoj ekipin, edhe pse një barazim nuk mjafton”, u shpreh ai.
Bajrami tregoi se kontaktet e para me trajnerin pas rikthimit nga Kombëtarja kanë qenë pozitive dhe vendimtare për aktivizimin e tij.
“Fola me trajnerin kur erdhi. Isha me Kombëtaren dhe mendoj se luajta mirë kundër Anglisë. U ktheva dhe mora shansin tim. Para tre muajsh isha larg, tani jam kthyer. Ky është futbolli. Nuk është e lehtë të stërvitesh gjithë javën dhe të mos jesh në skuadër, por tani jam i lumtur që po ndihmoj ekipin”, shtoi mesfushori.
Duke analizuar ndeshjen, Bajrami theksoi se Rejnxhërs ka potencial të madh, por duhet të rritet në fazën finale të aksioneve.
“Jemi gjashtë ndeshje të pamposhtur dhe krijuam më shumë se herën e fundit. Duhet të qëndrojmë të bashkuar. Të dy golat që pësuam mund t’i mbronim më mirë, sepse patëm shumë raste. Hapi i fundit është t’i shfrytëzojmë. Sulmuesit tanë kanë cilësi — nuk janë gjithmonë ata fajtorë. Nëse i ndihmojmë nga prapa dhe u çojmë topa më të mirë, jam i sigurt se do të shënojnë”, deklaroi ai.
Në një moment të vështirë për skuadrën, goli i Bajramit jo vetëm shmangu humbjen, por i riktheu lojtarit sigurinë dhe energjinë për ndeshjet e ardhshme.
