Kredia konsumatore do t’u kushtojë më pak qytetarëve deri në korrik të këtij viti, pasi Banka e Shqipërisë ka vendosur të ulë tavanin e interesave maksimale që aplikohen për këto hua.
Për kreditë konsumatore deri në 200 mijë lekë, që merren si nga bankat ashtu edhe nga institucionet e mikrofinancës, interesi maksimal do të jetë rreth 54.8%, nga 62.2% që ishte më parë.
Për kreditë me vlerë nga 200 mijë deri në 600 mijë lekë, interesi maksimal është 35.4%, ndërsa për huatë nga mbi 600 mijë deri në 2 milionë lekë, interesi maksimal ulet në 14.7%. Për kreditë nga 2 milionë deri në 10 milionë lekë, tavani i interesit do të jetë 11.94%.
Banka e Shqipërisë rikujton gjithashtu bankat dhe institucionet jobankare se duhet të respektojnë rregulloren edhe për penalitetet në rast vonesash në pagesa. Sipas saj, shuma e penaliteteve nuk mund të kalojë 30% të vlerës së kësteve të papaguara.
Vendimi për vendosjen e një norme maksimale interesi u mor në vitin 2021 dhe hyri në fuqi në vitin 2022, pas rasteve të shumta të abuzimit nga institucionet jobankare, të cilat ofronin kredi të shpejta pa kolateral, por me interesa shumë të larta. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2022 norma maksimale e interesit për kreditë deri në 200 mijë lekë kishte arritur në 171.41%.
Norma Efektive e Interesit përfshin të gjitha kostot që kredimarrësi paguan për kredinë, si norma e interesit, komisionet, kostot e llogarisë bankare (kur janë të detyrueshme), primet e sigurimit dhe shpenzime të tjera të lidhura me huanë.
Gjatë vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë i ka propozuar Ministrisë së Ekonomisë që në ligjin e ri “Për Mbrojtjen e Konsumatorit” të përfshihet edhe një tavan i posaçëm për interesat e kredive konsumatore, me qëllim mbrojtjen më të fortë të qytetarëve.
