Ari mbetet streha më e sigurt në një klimë të trazuar ndërkombëtare, me shtetet dhe bankat qendrore që po rrisin ndjeshëm blerjet e tyre në vitet e fundit. Çmimet rekord kanë rikthyer vëmendjen tek rezervat strategjike, teksa një analizë e re e “BullionVault” zbulon renditjen botërore të vendeve me më shumë ar zyrtar deri në vitin 2024.
Sipas të dhënave, Shtetet e Bashkuara kryesojnë bindshëm listën me 8,133.5 tonë ar, të ndjekura nga Gjermania (3,351.6 tonë), Italia (2,451.9 tonë) dhe Franca (2,437 tonë). Rusia dhe Kina vijojnë në pozicionet pasuese me mbi 2,200 tonë secila, ndërsa Zvicra, India, Japonia dhe Holanda plotësojnë dhjetëshe e vendeve kryesore.
Tre surprizat e listës konsiderohen:
- Uzbekistani, që renditet në vendet e para me 382.6 tonë, shumë më lart se ekonomitë e mëdha;
- Mbretëria e Bashkuar, e cila, pavarësisht reputacionit, pozicionohet me vetëm 310.3 tonë;
- Arabia Saudite, që megjithë pasurinë e saj, rezulton me 323.1 tonë, shumë më pak se pritej.
Ndër vendet e tjera të rëndësishme, Turqia renditet me 595.4 tonë, Polonia me 448.2 tonë, ndërsa shtete në zhvillim si Tajlanda, Algjeria, Iraku dhe Brazili shfaqin rritje të konsiderueshme.
Në pjesën e fundit të top-50-shes gjenden vende si Katari, Hungaria, Rumania dhe Koreja e Jugut, me rezerva që variojnë nga 80 deri në 110 tonë. Në fundin e tabelës, disa vende europiane si Lituania, Letonia e Gjeorgjia kanë rezerva minimale që nuk e kalojnë 7 tonët.
Shqipëria – jashtë listës botërore
Pavarësisht potencialit historik të industrisë minerare, Shqipëria nuk figuron në renditjen e 50 vendeve me rezervat më të mëdha zyrtare. Sipas raporteve të Bankës së Shqipërisë, vendi ynë ka rreth 1.6 tonë ar, duke u renditur ndër vendet me rezervat më të ulëta globale.
Ekspertët theksojnë se rritja e rezervave të arit po shihet si mburojë financiare kundër:
- inflacionit ndërkombëtar
- dobësimit të monedhave kombëtare
- goditjeve të krizave ekonomike
Analiza nënvizon se gara për ar nuk udhëhiqet më vetëm nga ekonomitë e mëdha, por edhe nga vendet në zhvillim që kërkojnë siguri monetare në një botë gjithnjë e më të pasigurt.
