Dy shtetas nga Kosova kanë mbetur të plagosur pasi avioni i vogël sportiv me të cilin po fluturonin u rrëzua mesditën e së premtes në Liqenin e Mavrovës, në Maqedoninë e Veriut.
Sipas Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, të plagosurit janë Xh.P., 41 vjeç, dhe D.M., 64 vjeç, i cili ishte edhe drejtuesi i mjetit fluturues. Ata u transportuan menjëherë në Spitalin e Gostivarit, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Ngjarja ndodhi rreth orës 12:35, pranë digës së Kanalit të Beliçit. Autoritetet bëjnë me dije se dy personat arritën të dalin vetë nga avioni pas rrëzimit, ndërsa shkaqet e incidentit mbeten ende nën hetim.
Sipas deklarimit paraprak të pilotit, avioni kishte pësuar një defekt në motor, çka e detyroi atë të kryente një ulje emergjente në liqen.
Menjëherë pas njoftimit për aksidentin, në vendngjarje mbërritën ekipet e urgjencës, shërbimet e menaxhimit të krizave dhe policia e Tetovës, të cilat po hetojnë rrethanat e plota të rrëzimit.
Mediat në Maqedoninë e Veriut raportojnë se avioni i markës “Piper”, i prodhuar në vitin 1961, është i regjistruar në Shtetet e Bashkuara në emër të D.M. dhe ka kapacitet për deri në katër persona. Ky mjet fluturues kishte qarkulluar edhe më herët në hapësirën ajrore të Maqedonisë së Veriut dhe kishte marrë pjesë në aktivitete ajrore, përfshirë një shfaqje aviacioni në Shkup në vitin 2023.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
