Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të ri që përcakton kriteret dhe procedurat për trajtimin me ushqim gjatë qëndrimit në punë të punonjësve të Policisë së Shtetit, studentëve, kursantëve dhe kategorive të tjera që trajtohen nga strukturat policore.
Sipas vendimit, punonjësit e Policisë së Shtetit që kryejnë shërbim me kohëzgjatje 8 orë do të përfitojnë një vakt drekë. Ndërkohë, tri vakte ushqimi do të ofrohen për efektivët e angazhuar në gatishmëri, ruajtjen e rendit publik, sigurinë zgjedhore, situata emergjente, fatkeqësi natyrore, aktivitete masive apo çdo rast kur orari i punës tejkalon 8 orë.
Në skemën e re përfshihen gjithashtu punonjësit e Qendrës së Edukimit Fizik dhe Sporteve Elitare, si edhe studentët dhe kursantët e Akademisë së Sigurisë. Për trajnimet njëditore (8 orë) parashikohet një vakt drekë, ndërsa për trajnimet shumëditore ofrohen tri vakte ushqimi, me një skemë të diferencuar për ditën e parë dhe të fundit të trajnimit.
Vendimi përfshin edhe kategori të tjera përfituese, të cilat do të trajtohen me tri vakte ushqimi pa pagesë. Mes tyre janë shtetasit e huaj që hyjnë ilegalisht në territorin e Shqipërisë deri në sqarimin e statusit, shtetasit shqiptarë të kthyer nga jashtë vendit në proces verifikimi, si edhe personat e ndaluar ose të arrestuar deri në transferimin në institucionet përkatëse.
Shërbimi i ushqimit do të realizohet përmes mensave ose nëpërmjet shërbimit të gatimit dhe shpërndarjes (catering), sipas procedurave të prokurimit publik. Në rastet kur ushqimi nuk mund të ofrohet në këtë formë, punonjësit e Policisë së Shtetit do të kompensohen financiarisht, me transfertë direkte në llogaritë e tyre bankare.
Këshilli i Ministrave ka përcaktuar se kompensimi financiar do të jetë:
- 500 lekë për normën ditore “një vakt drekë”
- 900 lekë për normën ditore “tri vakte ushqimi”
Vlerat e kompensimit do të indeksohen çdo vit në bazë të inflacionit të publikuar nga INSTAT. Vendimi shfuqizon aktin e mëparshëm të vitit 2017 dhe hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, duke prodhuar efekte financiare nga 1 janari 2026.
