Shehaj: Kushtetuesja mbrojti Ballukun dhe Ramën, vendimi vetëm u bleu pak kohë

Data

Kryetari i Partisë Mundësia, deputeti Agron Shehaj, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila me votë 5 me 3 pezulloi përkohësisht masën e pezullimit nga detyra për zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, deri në shqyrtimin e çështjes më 22 janar.

Në një video-mesazh të publikuar në rrjetin social Facebook, Shehaj u shpreh se vendimi i Kushtetueses nuk është gjë tjetër veçse një shtyrje në kohë, që sipas tij i shërben kryeministrit Edi Rama.

“Gjykata Kushtetuese zgjodhi të mbrojë Ramën dhe Ballukun, duke i dhënë kryeministrit vetëm pak kohë më shumë, asgjë më tepër,” deklaroi Shehaj.

Sipas deputetit, Gjykata Kushtetuese duhej të kishte lënë në fuqi masën e pezullimit nga detyra, duke mbajtur një qëndrim të qartë përballë akuzave të ngritura nga SPAK.

“Në përplasjen mes drejtësisë dhe qeverisë së korruptuar të Edi Ramës, Gjykata Kushtetuese mbajti anën e të korruptuarve, duke e rikthyer në detyrë Belinda Ballukun,” tha ai.

Shehaj theksoi se vendimi nuk e shpëton zëvendëskryeministren nga përgjegjësia penale, por synon të mbrojë politikisht kryeministrin.

“Ky vendim nuk e shpëton Ballukun. Synon të shpëtojë Ramën, i cili mendon se është i paprekshëm dhe se drejtësia nuk mund ta pezullojë apo arrestojë. Kjo nuk është e vërtetë. Me këtë vendim, Rama thjesht fitoi pak më shumë kohë. Fati i tij është vendosur në Perëndim,” përfundoi Shehaj.

Belinda Balluku është marrë e pandehur nga SPAK për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera, në lidhje me procedurat e tunelit të Llogarasë dhe Lotit 4 të Unazës së Madhe. Për të, GJKKO ka vendosur masat e sigurisë: pezullim nga detyra, bllokim të pasaportës dhe ndalim për të dalë jashtë vendit, ndërsa çështja pritet të shqyrtohet në themel nga Gjykata Kushtetuese më 22 janar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related