Rubin Rredhi, 24 vjeç, prej një muaji mban postin e zv/drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Portual Durrës. Ai rezulton të jetë djali i Agim Rredhit, ish-kryetar i komunës Remas nën siglën e Partisë Demokratike, si dhe vëllai i Elizabeta Rredhit, kandidate për deputete e PD në zgjedhjet e vitit 2021.
Emërimi ka tërhequr vëmendje për shkak të kontrastit politik, pasi vendimi vjen nga një përfaqësuese e qeverisë socialiste. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, drejtimi politik i qarkut Fier – ku përfshihet edhe Lushnja – u mbajt nga zv/kryeministrja socialiste, ndërsa Partia Socialiste siguroi 12 mandate në këtë qark.
Ndërkohë, Elizabeta Rredhi ishte ndër më të votuarat në primaret e 11 majit në Fier me 492 vota, por u tërhoq nga gara pasi nuk u përfshi në listën e mbyllur të qarkut. Ajo pati deklaruar më herët se kishte pasur një marrëveshje paraprake për përfshirjen në listë.
Emërimi i 24-vjeçarit në një post drejtues në portin më të madh të vendit ka nxitur diskutime mbi kriteret dhe balancat politike në administratë.
