Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka reaguar ashpër ndaj lajmeve për shitjen e veprave artistike të kryeministrit Edi Rama, duke i cilësuar ato si një mënyrë të përdorur për të justifikuar pasurinë.
Sipas Palokës, tregtia e veprave të artit është një nga format më të zakonshme të pastrimit të parave, pasi çmimi i tyre përcaktohet subjektivisht dhe sipas interesit të palëve. Ai thekson se vepra pa vlerë reale mund të shiten për shuma të mëdha, duke shërbyer si mekanizëm për qarkullimin e parave të pista.
Deputeti i PD-së i bën thirrje SPAK-ut që të ndjekë rrjedhën e parave nëse synon të zbardhë korrupsionin, duke theksuar se kjo do të ishte një nga pistat më të lehta për hetim.
“Imagjinoni kush do t’i blinte për dhjetëra mijëra euro zhgarravinat e një dështaku si Rama,” shprehet Paloka, duke shtuar se para se të bëhej kryeministër, aktiviteti i tij artistik ishte i papërfillshëm. Sipas tij, parimi i thjeshtë “ndiq paranë” do të mjaftonte për të hedhur dritë mbi këto çështje.
