Deputetët e Partisë Demokratike kanë akuzuar qeverinë për neglizhencë dhe papërgjegjshmëri përballë situatës së rënduar nga përmbytjet, duke kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme të emergjencave civile. Sipas tyre, qeveria po refuzon këtë hap për mungesë vullneti për të dëmshpërblyer qytetarët e prekur.
Deputeti i PD-së, Eno Bozdo, deklaroi se situata është veçanërisht alarmante në Qarkun e Beratit, ku dëmtimi i argjinaturës ka sjellë përmbytjen e qindra hektarëve tokë bujqësore në njësitë administrative Velabisht dhe Otllak. Kjo ka goditur drejtpërdrejt jetesën e dhjetëra familjeve, të cilat, sipas opozitës, janë lënë pa asnjë mbështetje nga shteti.
Gjendja paraqitet edhe më dramatike në Bashkinë Dimal, në zonat Dafinë, Gurë i Bardhë dhe Çiflik, ku uji ka depërtuar në banesa dhe toka bujqësore. Banorët raportojnë dëme të mëdha materiale dhe rrezik për sigurinë, ndërsa fermerët po humbasin prodhimin dhe mundin e tyre të një viti të tërë.
Sipas PD-së, qytetarët janë lënë në mëshirë të fatit, pa ndihmë dhe pa reagim institucional. Opozita thekson se refuzimi për të shpallur gjendjen e emergjencës lidhet me shmangien e përgjegjësive financiare dhe dëmshpërblimeve, duke akuzuar qeverinë se “nuk ka mendjen të ndihmojë qytetarët, por të vjedhë”.
Deputetët demokratë kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, koordinim institucional dhe marrje përgjegjësish për të përballuar pasojat e përmbytjeve dhe për të garantuar dëmshpërblim të plotë për banorët, bizneset dhe fermerët e prekur.
