Artan Hoxha: Eric Wendt evidentoi Paraguajin si bazë të grupeve kriminale shqiptare për trafikun ndërkombëtar të kokainës

Data

Artan Hoxha ka komentuar deklaratat e kandidatit të SHBA-së për ambasador në Shqipëri, Eric Wendt, gjatë raportimit të tij në Senatin amerikan.

I ftuar në një studio televizive, Hoxha u shpreh se Wendt ka përcaktuar qartë prioritetet e punës së tij në Shqipëri, duke vendosur theks të veçantë te lufta kundër krimit të organizuar dhe narkotrafikut.

Sipas gazetarit, vetë profili profesional i Wendt tregon se bëhet fjalë për një diplomat me formim ushtarak dhe eksperiencë të lartë sigurie.

“Ardhja e një stature të tillë, një gjeneral-lejtnant me tre yje, që ka shërbyer me Beretat e Gjelbra, tregon se SHBA po sjellin në Shqipëri një njeri që duhet ta dëgjosh mirë çfarë thotë. Nuk mund ta korruptosh apo ta përpunosh”, deklaroi Hoxha.

Ai theksoi se fakti që Shqipëria ka qenë për disa vite pa ambasador amerikan dhe tani propozohet një figurë e këtij niveli, tregon ndryshim të qartë në qasjen e Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj Shqipërisë.

Një nga elementët që, sipas Hoxhës, ra më shumë në sy gjatë fjalimit të Wendt ishte përmendja e Paraguaji si pikë kyçe për aktivitetin e grupeve kriminale shqiptare.

“Më bëri përshtypje që përmendi Paraguajin, që grupet shqiptare e kanë përdorur si bazë për shpërndarjen e kokainës. Grupet që kanë operuar aty janë ndër më të fuqishmet shqiptare”, tha ai.

Hoxha përmendi disa grupe kriminale shqiptare që, sipas tij, kanë operuar në Amerikën Latine dhe janë monitoruar nga agjencitë amerikane.

Sipas gazetarit, informacionet e përmendura nga Wendt lidhen drejtpërdrejt me të dhënat e siguruara nga DEA.

“Gjithë informacionin që dha ambasadori aty e ka marrë nga DEA, sepse amerikanët e njohin mirë nivelin ku kanë arritur grupet shqiptare në trafikun ndërkombëtar”, u shpreh Hoxha.

Ai shtoi se lufta kundër narkotrafikut u evidentua si një nga objektivat kryesorë të mandatit të ardhshëm diplomatik të Wendt në Tiranë.

Në fund, Hoxha kujtoi edhe sanksionet e vendosura nga Departamenti i Thesarit i SHBA ndaj familjes Hysa, të akuzuar për pastrim parash të lidhura me kartelin meksikan Karteli Sinaloa.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related