Klodiana Lala ka zbuluar detaje të reja lidhur me hetimet për fatin e Ervis Martinaj, gjatë një interviste televizive ku komentoi dëshminë e babait të tij, Mustafa Martinaj, në gjykatë.
Sipas Lalës, Mustafa Martinaj u paraqit në gjykatë në kuadër të procesit për sekuestrimin e pasurive të familjes, ku ai pretendoi se asetet janë krijuar nga burime të ligjshme.
Gazetarja tha se gjatë dëshmisë së tij, Mustafa Martinaj foli edhe për zhdukjen e të birit dhe shprehu pakënaqësi për mënyrën si janë zhvilluar hetimet.
“Më vjen turp që nuk pyetem për vdekjen e djalit, por pyetem për rrecka dhe për beton”, citoi Lala deklaratën e tij në sallën e gjyqit.
Ajo kritikoi autoritetet shqiptare për mënyrën se si kanë trajtuar çështjen e zhdukjes së Ervis Martinajt dhe vrasjes së Brilant Martinaj.
Sipas Lalës, një nga personazhet kyç në këtë histori mbetet Jeton Lami, i cili ndodhet në paraburgim.
“Jeton Lami është kutia e Pandorës në atë histori. Para zhdukjes së Martinajt ai ka shkuar në familjen e tij dhe ka pasur biseda me familjarët”, deklaroi gazetarja.
Lala zbuloi gjithashtu se Gledis Nano ka zhvilluar një takim me Lamin në ambientet e paraburgimit.
“Kam mësuar së fundi që Gledis Nano e ka takuar Jeton Lamin në paraburgim, ku pretendohet se ka marrë të dhëna mbi fatin e Martinajt”, tha ajo.
Gazetarja shtoi se hetimet duhet të kalojnë nga Prokuroria e Lezhës në një strukturë me më shumë kapacitete hetimore, duke argumentuar se çështja përfshin disa grupe kriminale dhe mund të ndihmojë në zbardhjen e konflikteve të tjera kriminale në vend.
“Janë të paktën pesë grupime kriminale që dyshohet se janë përfshirë në zhdukjen e tij”, deklaroi Lala.
