Qeveria miratoi dje vendimin që përcakton kriteret për shpërblimin e gardistëve deri në 3 paga mujore neto në vit për rezultatet e arritura gjatë kryerjes së detyrës që ka të bëjë me sigurinë e personaliteteve apo objekteve të rëndësishme. “Punonjësi i Gardës së Republikës përfiton në vit një shpërblim deri në masën e 3 (tri) pagave mujore neto për rezultate të larta të arritura gjatë kryerjes së detyrës”, qartësohet në vendim ku shpjegohen rastet specifike kur dhe sa jepet. Në vendimin e sotëm të qeverisë parashikohen 4 raste kur gardisti mund të marrë shpërblim të barazvlefshëm me 1 pagë mujore, 2 deri në 3 paga mujore neto në vit.
Masa e shpërblimit jepet e përshkallëzuar sipas klasifikimit: Konkretisht: Kur gardisti pëson dëmtime shëndetësore gjatë shërbimit për sigurimin e personaliteteve apo të objekteve në ruajtje, duke përfshirë raste, si: sulme të dhunshme, aksidente gjatë detyrës ose situata emergjente, që shkaktojnë paaftësi të përkohshme në punë për më shumë se 14 (katërmbëdhjetë) ditë kalendarike jepen 3 (tri) paga mujore neto në vit Kur gardisti parandalon një incident të rëndë apo përpjekje për dëmtim fizik të personaliteteve me masa konkrete dhe ndërhyrje të menjëhershme I jepen 2 paga mujore në vit. Po kaq, 2 paga mujore, shpërblehen edhe gardistët që kryejnë shërbime për sigurinë e personaliteteve dhe të objekteve në kushte të rrezikshme, si: gjatë protestave masive, kërcënimeve terroriste të konfirmuara, situatave të tensionuara me rrezik ose detyra të përshkallëzuara papritur, që kërkojnë vigjilencë të lartë dhe aftësi të shpejta reagimi.
